Uashington, 11 mars – Rusia është një problem qendror në politikën e brendshme amerikane dhe samitin e ardhshëm ka për qëllim menaxhimin e kësaj çështje dhe rivendosjen e stabilitetit në marrëdhëniet e ndërsjella. Kjo u tha sot gjatë video konferencës Zoom të mbajtur me rastin e takimit të ardhshëm më 16 qershor në Gjenevë midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Xho Bajden dhe Vladimir Putin.
Sipas Angela Stent, drejtoreshë e Qendrës për studime euroaziatike, ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin Xhorxhtaun, Rusia ka qenë një problem kryesor në politikën e brendshme të SHBA-së që nga viti 2016.
Takimi i ardhshëm Bajden-Putin pason pas një pranvere të tensionuar me përshkallëzimin e fuqisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, sanksione të reja dhe dëbime të diplomatëve, të rusiëve nga aleatët e NATO-s dhe në perëndim nga ana e Rusisë.
“Shtëpia e Bardhë e ka theksuar vazhdimisht deri mëtani nevojën për dialog me Moskën dhe këto sinjale Kremlini menjëherë i ka pranuar dhe u është përgjigjur reciprokisht”, tha Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i revistës Rusia në politikën globale.
Sipas bashkëbiseduesve, takimi me Bajdenin do të jetë padyshim shumë i ndryshëm nga ai që Putini e kishte me ish-presidentin Donald Tramp në Helsinki në vitin 2018. Tramp më pas refuzoi të kritikonte Putinin dhe hodhi poshtë hapur zbulimet e inteligjencës amerikane për përfshirjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016
Nga ana e tij, Bajden premtoi një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë sesa Trampi dhe do të kërkojë të rikthejë “parashikueshmërinë dhe stabilitetin”, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Xhen Psaki, zëdhënësja e e Shtëpisë së Bardhë, tha se Ukraina do të ishte padyshim pjesë e agjendës së diskutimeve ku Bajden do të shprehte mbështetje për “sovranitetin dhe integritetin territorial” të vendit. Presidenti i SHBA-së do të drejtohet edhe me rastin e aterimit të detyrueshëm të një aeroplani udhëtarësh Rajaner dhe arrestimin e blogerit të opozitës bjelloruse Roman Protaseviç që ndodhi më 23 maj.
Bashkëbiseduesit nga video konferenca gjithashtu treguan se Bajden do të përsërisë thirrjet për lirimin e liderit të opozitës ruse Aleksei Navalni.
Marrëdhëniet midis të dyve janë acaruar që kur Bajdeni mori detyrën në janar. Në një intervistë në mars, ai ra dakord me përshkrimin se Putini ishte një “vrasës” dhe tha se lideri rus do të “paguante” për përpjekjet për të minuar zgjedhjet e SHBA në vitin 2020. Në përgjigje tëkësaj, Rusia përkohësisht tërhoqi ambasadorin e saj në Uashington për herë të parë në dy dekada, ndërsa Putini u përgjigj në një mënyrë humoristike, fëminore, “kush vendos nofka vetë është i tillë” dhe i uroi shëndet Bajdenit.
SHBA-ja vendosën sanksione më të ashpra ndaj Rusisë në mars për shkak të helmimit dhe mbylljes së Navalnit, ndërsa një muaj më vonë i dëbuan diplomatët rusë dhe sanksionuan disa kompani për sulmet e piraterisë në “SolarWind”s dhe ndërhyrjet në zgjedhje.
Përndryshe, zgjedhja e vendit të takimit është simbolike. Gjeneva është qyteti ku takimi i parë midis presidentit të SHBA-së Ronald Regan dhe liderit sovjetik Mihail Gorbaçov u zhvillua në vitin 1985. Ky takim kontribuoi në uljen e tensioneve gjatë Luftës së Ftohtë.