Bruksel, 30 qershor – Liderët e BE-së sonte do të mblidhen në samit të jashtëzakonshëm në Bruksel për ta vazhduar procesin për emërimin e pozitave udhëheqëse në institucionet e Unionit, përcjellë KOHA.
Ky është samiti i tretë nga përfundimi i zgjedhjeve evropiane, në të cilin duhet të arrihet konsensus për atë se kush do ta përfaqësojë BE-në në periudhën e ardhshme pesë vjeçare.
BE-ja duhet të nominojë kandidatë për kryetarë të Këshillit të Evropës, Komisionit të Evropës, shef të diplomacisë dhe kryetar të Bankës Evropiane Qendrore.
Në samitin paraprak më 20 qershor, për asnjërin prej kandidatëve nuk kishte shumicë.
Në ndërkohë, vazhduan konsultimet midis liderëve të BE-së dhe përfaqësuesve të grupeve udhëheqëse në Parlamentin Evropian.
Bëhet fjalë për negociata të ndërlikuara me të cilat duhet të harmonizohen pozitat e ndryshme të vendeve anëtare, të Këshillit të Evropës, të Parlamentit Evropian, por edhe të krijohet baraspeshë midis grupeve udhëheqëse politike në BE, baraspeshë midis gjinive, ku pritet që të paktën në dy prej pesë pozitave udhëheqëse në BE do të jetë grua, më pas baraspesha gjeografike midis kandidatëve nga vendet perëndimore dhe lindore dhe midis vendeve-anëtar më të mëdha dhe më të vogla të BE-së.
Është paraparë nomimi të përfundojë deri në inaugurimin e Parlamentit të ri Evropian, i cili seancën e tij të parë duhet ta mbajë më 2 korrik në Strasbur. (koha.mk)