Samir Karahoda dërgon Kosovën në Berlinale me filmin “Në mes”

20

Prishtinë, 15 janar – Përmes një komunikate për shtyp, Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Berlinale, njoftoi për pjesëmarrjen e filmit “Në mes” të autorit Samir Karahoda, në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmi trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz.

“Në mes” është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovar” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011.
Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

Regjia dhe Drejtor i Fotografisë: Samir Karahoda: producent: Eroll Bilibani; montazhi: Enis Saraçi; dizajner zëri: Memli Kelmendi; incizues zëri: Gëzim Rama; dizajnere grafike: Nita Salihu Hoxha. Premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 shkurt.