Si të gjithë tifozët e Milanit, edhe ish ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini është i zhgënjyer për humbjen në derbi, teksa i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tiki Taka” në Italia 1, pranoi se kishte lënë “San Siro”-n më herët dhe drejtoi gishtin nga drejtimi i kuqezinjve.
“Duket qartë që nuk është një problem i trajnerëve, pasi në vitet e fundit kemi ndërruar 6-7 të tillë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë. Ndoshta problemi është më lart se trajnerët. Të vetmit që dhanë diçka në derbi, janë futbollistët e afruar këtë verë, si Leao dhe Theo Hernandez, ndërsa të tjerët nuk luajtën fare. Pa dashur të akuzoj, por kur sheh në fushë Rodriguez, Biglia, Calhanoglu, Kessie e Suso, lojën e të cilin e kanë kuptuar edhe në Groenlandë, atëherë duhet ndryshuar diçka patjetër”, tha Salvini.
Ish ministri i Brendshëm italian u pyet edhe mbi mënyrën se si po punojnë dyshja Maldini-Boban, tani me rol drejtuesi, por refuzoi të komentojë, ndërsa thekson se skuadra nuk ka ndryshuar asgjë nga vitet e mëparshme.
“Nuk kam asnjë atribut apo kompetencë, për të gjykuar punën e Maldinit dhe Bobanit. Thjesht në derbi ne luajtëm pa dëshirë, pa grintë dhe pa ide, ose thënë më mirë, nuk luajtëm fare. Unë kam filluar ta ndjek Milanin në Serinë B, por pas golit të dytë, lojtarët ishin të dorëzuar dhe për herë të parë lashë stadiumin disa minuta përpara kohe”, tregoi ish ministri italian.