Komisioni Europian mund t’i faturojë Italisë një gjobë prej 3 miliardë euro për thyerjen e rregullave të BE-së për shkak të rritjes së borxhit dhe nivelit të deficitit strukturor, tha të martën zëvendëskryeministri i vendit Matteo Salvini.
Salvini, partia e të cilit (La lega e ekstremit të djathtë) triumfoi në zgjedhjet evropiane të dielën, tha se ai do të përdorte “të gjitha energjitë e mia” për të luftuar ato që ai i quan rregulla fiskale europiane të padrejta dhe të vjetruara.
Dy zyrtarë të zonës euro thanë për Reuters të hënën se Brukseli ka gjasa të nisë masat disiplinore kundër Italisë më 5 qershor mbi financat e saj publike.
Një letër paralajmëruese nga Komisioni pritet të dërgohet në Romë këtë javë. “Le të shohim nëse e marrim këtë letër ku na japin një gjobë për borxhin e akumuluar në të kaluarën dhe na thonë të paguajmë 3 miliard euro“, tha Salvini në një intervistë me radio RTL.