SALMAN RUSHDIE: Kemi përballë armikun e vjetër – autoritarizmin

“Po të më kishit pyetur para 10 apo 20 vjetësh, ndoshta do të thosha se problemet kryesore me të cilat përballet liria e shprehjes burojnë nga ekstremizmi fetar”, ka thënë Ruzhdie. “Mendoj se tani kemi para syve armikun e vjetër, i cili është autoritarizmi. Mendoj se ka një ngritje të njëmendtë të lëvizjeve autoritare në botë, demagogji autoritare populiste”

 

Mjeshtri i letrave Salman Rushdie ka tërhequr vërejtjen nga kërcënimi i autoritarizmit në botë dhe ka thënë se Partia Republikane në SHBA është duke bërë përpjekje të cenojë vlerat demokratike. Shkrimtari këtë qëndrim e ka shfaqur në forumin për kërcënimet ndaj lirisë së fjalës në SHBA dhe rreth botës, që është mbajtur të mërkurën në Philadelphia. Me videolidhje në “National First Amendament Summit”, Rushdie i ka përmbledhur në “Mitin e Epokës së Artë” ngritjen e Donald Trumpit dhe BREXIT-in. Ruzhdie, i cili ishte sulmuar në New York pak më shumë se një vit më parë, ka folur teksa ndalimi i librave po shpeshtohet nëpër SHBA. I intervistuar nga Suzanne Nossel, shefe e organizatës për lirin e shprehjes “PEN Amerika”, Ruzhdie është pyetur se cili është kërcënimi më i madh për lirinë e fjalës në ditët e sotme. “Po të më kishit pyetur para 10 apo 20 vjetësh, ndoshta do të thosha se problemet kryesore me të cilat përballet liria e shprehjes burojnë nga ekstremizmi fetar”, ka thënë Ruzhdie.

“Mendoj se tani kemi para syve armikun e vjetër, i cili është autoritarizmi. Mendoj se ka një ngritje të njëmendtë të lëvizjeve autoritare në botë, demagogji autoritare populiste”, ka shtuar shkrimtari.

Advertisements

“Së bashku me këtë [ekziston] vullnet mes të paktën një pjese të popullsisë që të pushojë së vlerësuari vlerat demokratike të mishëruara në amendamentin e parë. Prandaj mendoj se problemi është, të them, më shumë politik sesa fetar”, ka thënë Ruzhdie. Samiti nën nikoqirllëkun e Qendrës Kombëtare të Kushtetutës kishte për qëllim të adresonte kërcënimet ndaj amendamentit të parë – së drejtës kushtetuese amerikane për lirinë e fjalës – vetëm një ditë pasi Senati mbajti seancën për ndalimin e librave dhe censurimin. Sipas PEN Qendrës së SHBA-së, më shumë se 4 mijë libra janë ndaluar në SHBA që prej vjeshtës së vitit 2021. PEN e përcakton ndalimin e librit, kur librat cilësohen si “jashtë limiteve” për studentët në libraritë dhe klasat e shkollave, ose kur librat hiqen gjatë një hetimi për të caktuar nëse ka ndonjë gjë të ndaluar.

Shumica e librave që janë ndaluar kanë të bëjnë me racizmin, seksualitetin dhe identitetin gjinor. Gjatë 18 muajve të fundit, shtetet si Florida, Karolina e Veriut dhe Iowa kanë miratuar ligje që kufizojnë se si dhe kur mësuesit mund të diskutojnë rreth seksualitetit dhe identitetit gjinor në shkolla.

Kur është pyetur për gjendjen e lirisë së fjalës në SHBA, Rushdie ka thënë se çështja qëndron te partitë politike. “Njëri prej problemeve është se ju keni një parti të madhe që duket se beson në vlerat demokratike. Ndërkaq keni një tjetër që po bën gjithçka për t’i cenuar këto vlera”, ka thënë Ruzhdie. “Kur keni shumicën e votuesve republikanë që besojnë se zgjedhjet e fundit ishin të vjedhura – ashtu siç thonë sa herë që pyeten, shumica e votuesve republikanë besojnë se Donald Trumpi ka fituar zgjedhjet e fundit dhe se i është bërë me hile – sikur sulmi ndaj së vërtetës ka arritur në këtë nivel të suksesit, atëherë jemi në telashe të mëdha”. Rushdie kaloi dhjetë vjet duke u fshehur pasi atëherë lideri i Iranit, Ajetullahu Ruhollah Khomeini, lëshoi fatvanë që bënte thirrje për vdekjen e tij pas publikimit të “Vargjeve Satanike” në vitin 1988. Libri ka ngjallur protesta shkaku i pretendimeve se romani ishte kundër islamit.

Në gusht të vitit 2022, 76-vjeçari ishte sulmuar në New York teksa po bëhej gati që të fliste në ngjarje letrare. Rushdie u ther me thikë në qafë dhe gjoks. Gjashtë muaj qëndroi në spital. Nga sulmi ka humbur shikimin në syrin e djathtë dhe ka lëndime në dorë, të cilat ia kanë vështirësuar të shkruarit.

Në samitin e mbajtur të mërkurën, Rushdie ka kritikuar “mitin e epokës së artë”, që, sipas tij, u ka dhënë hov Trumpit dhe BREXIT-it. “‘T’ia kthejmë namin Amerikës’ – gjithmonë më ka nxitur ta bëj pyetjen: ‘Kur ka ndodhur kjo?’ Cila është data që na bën të shikojmë prapa? A ishte, për shembull, kur kishte skllavëri? Ishte para se gratë të kishin të drejtë vote? Ishte para lëvizjes për të drejtat civile? Cili ishte nami amerikan tek i cili ne duhet të kthehemi?”, ka thënë Rushdie. “Dhe tema e epokës së artë është se kurrë nuk ka ekzistuar, dhe miti i epokës së artë gjithmonë është përdorur për të arsyetuar veprimet në të tashmen. Në Angli, katastrofa e BREXIT-it ishte rezultat i një tjetër miti të epokës së artë, i cili është: ‘Anglia dikur ishte shtet i lavdishëm dhe mund ta kthehet në ditët e lavdisë përsëri, nëse mund të heqim qafe këta të huajt’”. “Natyrisht ata harruan të përmendin para votuesve se arsyeja se përse Anglia ishte e begatë ishte se për 200 vjet kishte lëvruar pjesën tjetër të botës”, ka shtuar Rushdie.

Në muajin maj Rushdie bëri paraqitjen e parë publike që prej sulmit me thikë në New York. Ka thënë se e ka ndërmend të shkruajë libër për incidentin. Hadi Matar, nga New Jersey është akuzuar për tentimvrasje të shkallës së dytë dhe sulm të shkallës së dytë ndaj Rushdies. 24-vjeçari është deklaruar i pafajshëm. (The Guardian)