Sallë e re sportive për shkollën fillore në fshatin Llabunisht të Strugës

Strugë, 13 shtator – Në praninë e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi sot u përurua salla e sapondërtuar sportive “Murat Llabunishti” në fshatin Llabunisht të Strugës, investim në vlerë prej 47,5 milionë denarësh, njofton Koha.mk

“Mbi njëmijë nxënës fitojnë kushte për mësim në lëndën e sportit dhe aktiviteteve sportive çfarë edhe i meritojnë. Që tani do të kenë mundësi në vend se në klasa, stërvitjet e obligueshme, aktivitetet dhe ndeshjet t’i realizojnë në një terren sportiv të ndërtuar me standardet më bashkëkohore për cilësi, t’i realizojnë midis golit të vërtetë dhe jo të vizatuar për muri, midis dy koshave profesional dhe rrjetit për hendboll”, deklaroi Ademi.

Sipas ministrit Ademi, pas tre vitesh ajo që u mungonte nxënësve tani u bë realitet.

Bëhet fjalë për investim të realizuar përmes projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin dhe pajisjen e 145 sallave sportive.

“Ky është një prej projekteve më të mëdha në vend, përmes së cilit deri më tani janë ndërtuar 70 salla sportive shkollore, ndërsa 15 të tjera janë në fazë ndërtimi”, përkujtoi Ademi.

Objekti do të jetë në dispozicion edhe për popullatën lokale por edhe për klubet sportive që mund ta shfrytëzojnë kapacitetin për trajnime, ndërsa është hapur mundësia objekti të shfrytëzohet edhe për organizimin e ndeshjeve sportive vendore dhe ndërkombëtare. (koha.mk)