Liverpul-Roma do të jetë përballja e parë e gjysmëfinales së “Champions League”. Gjigantët anglezë pasi eliminuan Mançester Sitin në çerekfinale, shorti i ka vënë përballë djemve të Di Franceskos, të cilët u treguan të zotët në sfidën ndaj Barcelonën dhe siguruan një biletë për këtë fazë. Ndryshe, Jurgen Klopp duket që është i përqendruar maksimalisht për takimin e sotëm që do të luhet në “Anfield” në orën 20:45. Liverpuli u ndal në një barazim 2-2 ndaj Uest Brom në fundjavë në Premier Ligë, ndërsa kërkon që të sigurojë finalen e Kievit në përballjen ndaj verdhekuqve. Me treshen e sulmit, Salah-Firmino-Mane, tekniku gjerman shpreson që të jetë produktive në sfidën e mbrëmjes së sotme. Por, nga ana tjetër edhe Di Françesko me “gladiatorët” e tij do të bëjë maksimumin për të shkuar në finale. Megjithatë, se cili prej tyre do të sigurojë një biletë për në Kiev do të shohim në minutën e fundit të sfidës që do të luhet në “Olimpico” javën tjetër. Cekim, “Të kuqtë” fituan me rezultatin e përgjithshëm 1-5 ndaj kampionëve të Premier Ligës, Mançester Sitit të Pep Guardiolës ndërkohë që kryeqytetasit italianë përmbysën gjithçka në shtëpinë e tyre pas humbjes 4-1 në “Camp Nou”, verdhekuqtë triumfuan 3-0 në “Olimpico”. Fitore dhe përmbysje e jashtëzakonshme nga djemtë e teknikut 48-vjeçar që arriti t’u dhurojë emocione të jashtëzakonshme tifozëve. Te Roma besojnë se mund ta ndalin golashënuesin më të mirë të Premier Ligë, Mohamed Sallah, ashtu si ndalën Lionel Messin. Këtë e pohon mbrojtësi Kostas Manolas, i cili shënoi golin vendimtar për kualifikimin e verdhekuqve. “Nuk do të markojmë Sallah një për një, sepse ne e ndalëm Barcelonën dhe Lionel Messin duke luajtur të gjithë bashkë si ekip, këtë do të bëjmë edhe këtë herë. Nuk do të jetë e lehtë, por jemi gati dhe do ta ndalojmë Sallah të gjithë së bashku,” – tha Manolas për “La Stampa”. “Futbolli ynë ka të bëj me mentalitetin dhe filozofinë që na jep trajneri. Ne luajmë gjithmonë me të njëjtat ide, pavarësisht se cili është kundërshtari. Ai është një trajner modern që kërkon ta dominojmë lojën me presing dhe ritëm të lartë,” – deklaroi mbrojtësi grek.