Udhëheqësi i sallës “Dibra”, Afrim Kërkuti, tregon se pikërisht ky objekt mundësoi që shumë klube sportive të mbijetojnë. Sipas tij, sot në këtë sallë realizohen aktivitete të Klubit Futbollistik “Korabi”, të Klubit të Basketbollit “Dibra”, të Klubit të Karatesë “Uraniku” dhe shumë klubeve të tjera që veprojnë në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 shkurt- Ndërtimi i sallës së sporteve “Dibra” në Dibër para disa viteve ringjalli shumë klube sportive, por mundësoi edhe rikthimin e jetës sportive të të rinjve. Salla në fjalë, e cila u ndërtua me mjete të Bashkimit Europian dhe me një participim edhe të pushtetit vendor, dha mundësi që edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit – në Dibër të mbahen manifestime të ndryshme politike dhe kulturore meqë kapaciteti i sallës është 1500 ulëse.
Udhëheqësi i sallës “Dibra”, Afrim Kërkuti, tregon se pikërisht ky objekt mundësoi që shumë klube sportive të mbijetojnë. Sipas tij, sot në këtë sallë realizohen aktivitete të Klubit Futbollistik “Korabi”, të Klubit të Basketbollit “Dibra”, të Klubit të Karatesë “Uraniku” dhe shumë klubeve të tjera që veprojnë në Dibër. Aktivitetet dhe trajnimet e këtyre grupeve realizohen pa pagesë, që do të thotë se pushteti vendor jep përkrahje për klubet në fjalë. Në këtë drejtim, salla sportive është e hapur edhe për klubet e reja, të cilët shprehin interes për trajnim dhe ndeshje të tjera sportive. Përveç termineve që realizohen pa pagesë – në orët e mbrëmjes realizohen edhe termine komerciale. “Bëhet fjalë për termine që merren nga ana e të rinjve për të zhvilluar aktivitete sportive”, thekson bashkëbiseduesi i jonë, Afrim Kërkuti. Nga dita në ditë rritet edhe interesi i të rinjve që shfrytëzojnë këto termine, kurse me këto aktivitet komuna ka edhe dobi materiale për mirëmbajtjen e sallës dhe nevojave të tjera.
“Salla sportive ‘Dibra’ është vendi ku realizohen shumë evente të ndryshme kulturore dhe politike. Në këtë sallë, dibranët kanë mundësi për çdo vit të ndjekin festivale të ndryshme folklorike siç është festivali mbarëkombëtar ‘Oda dibrane’. Ky festival i cili mbahet në të dyja Dibrat, gjatë prezantimit në Dibër mbush tërësisht kapacitetin e sallës, meqë festivalin e ndjekin jo vetëm dibranët, por edhe struganët, gostivarasit, tetovarët dhe shqiptarë nga të gjithë trojet etnike. Po ashtu, këtu mbahen edhe koncerte të ndryshme humanitare, por edhe koncerte kushtuar festave tonë kombëtare siç është 28 Nëntori”, tregon Kërkuti.
Ndërtimi i kësaj salle mundësoi që dibranët të kenë mundësi të ndjekin koncerte dhe aktivitet të tjera edhe kur ka reshje shiu dhe borë. Kjo sallë ka mundësuar që pikërisht këtu të mbahen edhe mitingje të ndryshme politike që organizohen nga ana e partive politike që veprojnë në Dibër, thekson Kërkuti. Ky objekt grandioz i sportit në Dibër mundëson që edhe programet atraktive të shkollave dhe çerdhes të prezantohen në këtë objekt. “Mirëmbajtja e sallës realizohet në mënyrën e duhur dhe objekti si i tillë është një investim kapital për Dibrën dhe dibranët”, përfundon Kërkuti. (koha.mk)