Bujar KURTAJ
Shkup, 9 tetor – I lindur në Shkup, ndërsa qysh në moshën fëmijërore pos arsimit e kaplon edhe pasioni për sportin. Dhe kështu paralelisht merrej edhe me futboll duke luajtur për klubet si “Vardari”, “Rabotnicki” e “Treska”, por që nuk zgjati shumë dhe si i ri përfundoi karrierën futbolliste, por duke iu përkushtuar më shumë shkollimit dhe si rezultat i kësaj ai sot është profesor i edukatës fizike në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Shkup. Por, edhe pse përfundoi karrierën si futbollist, nuk u largua nga futbolli, por vendosi të ndjek kurset për trajner te KF Slloga Jugomagnat tani FC Shkupi, ndërsa posedon edhe licencën për futboll të shkallës më të lartë FIFA. Derisa, aktualisht është themelues i KF ‘Skupi”, nga ku kanë dalë emra të mëdhenj, ndërsa njëri prej tyre është Enis Bardhi. Fjala është për Bedri Saliun, i cili për këto dhe për jetën e tij sportive dhe jashtë saj, i rrëfen në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Krahas arsimit të kaplon edhe pasioni për sportin, konkretisht futbolli. Në cilin klub i bëre hapat e parë dhe si ka rrjedhur karriera jote?
SALIU: Hapat e para në futboll si futbollist i bëra si fatos në klubin ‘Vardar’ dhe junior në klubin ‘Rabotnicki’. Pas mbarimit të stazhit të juniorëve, më huazojnë në KF ‘Treska’, klub ku si i ri e përfundova karrierën time si futbollist. Pas mbarimit së karrierës si futbollist, iu qasa shkollimit, kurseve dhe seminareve të ndryshme të futbollit, derisa në vitin 1989 fitova licencën për futboll të shkallës më të lartë nga FIFA. Nga ana tjetër karriera ime si trajner filloi në vitin 1995 në KF Slloga J. tani FC ‘Shkupi’, së bashku me legjendën e futbollit shqiptar Bajrush Baftjari, të cilit i jam shumë falënderues për diturinë dhe fshehtësitë e futbollit të cilat ai mi zbuloi.
KOHA: Është interesante se je marr edhe me sportin e hendbollit. A është e vërtetë kjo dhe pse nuk vazhdove të merresh me këtë sport po ju përqendrove futbollit?
SALU: Si nxënës i shkollës fillore ‘Liria’, arsimtarë të edukatës fizike kisha legjendarin Mentaz Allajbegu. Në këtë shkollë i mësuam të gjitha sportet së bashku me Shaban Sejdiun, Mensur Nexhipin, Faton Ismailin, me një fjalë të gjitha sportet i përvetësuam me ndihmën e Allajbegut dhe në formimin e klubit hendbollistik ‘Liria’ ne u kyçëm ti ndihmojmë klubit në hapat e para të formimit të tij. Un gjithashtu jam marrë edhe me mundje, futboll, hendboll së bashku me sportistët e lartpërmendur që arritën suksese shumë të larta secili në fushën e vet.
KOHA: Sigurisht se përkrahja nga familja nuk të ka munguar. Por, nga ajo që kemi mësuar është se në ndërtimin e karakterit tuaj sportiv ka ndikuar edhe i ndjeri Mentaz Allajbegu?
SALIU: Siç e përmenda më lartë, i ndjeri Mentaz Allajbegu përveç që ka ndikuar shumë në zhvillimin sportiv timin, ai ka ndikuar shumë për ndërtimin e karakterit tim edhe si trajner. Do ta kisha përmendur një moment kur Allajbegu na udhëhiqte në gara sportive çdoherë potenconte atë që nuk keni pse të frikoheni prej kundërshtarit kur edhe ai ka dy duar, dy këmbë një kokë, nuk ka asgjë më shumë se ju. Ashtu na stimulonte dhe inkurajonte që të arrijmë suksese të larta, por edhe si trajner e përdori eksperiencën e tij dhe karakterin që e mbolli tek unë.
KOHA: Më shumë se dhjetë vite ke qenë trajner i KF Slloga Jugomagnat, tani FC Shkupi. Prej nga lindi pasioni që të bëhesh trajner dhe jo ndonjë menaxher, apo skaut?
SALIU: Pas mbarimit të karrierës si futbollist, rastësisht KF Slloga J. ngeli pa trajner ashtu që në momentin e duhur së bashku me Bajrush Baftjarin i ofrova punën time në këtë klub edhe vazhdova të punoj me sukses të madh gjatë këtyre 10 viteve dhe të lë gjurmë të thella në këtë klub me zbulimin e talenteve të rinj dhe kultivimin e ndërtimin e tyre si futbollist cilësorë. Edhe me punë menaxherive jam marrë, por në fillim ishte shumë e vështirë pasi licenca paguheshe shumë shtrenjtë. Tani kushtet për tu pajisur me licencë, kanë ndryshuar dhe ajo nuk paguhet fare. Më vonë u pa se më i suksesshëm isha në zbulimin dhe ndërtimin e talenteve, se në shitjen e tyre.
KOHA: Për tu bërë trajner, nevojiten edhe licencat. I posedon këto Bedri Saliu dhe nëpër sa seminare ke marr pjesë për të realizuar këtë?
SALIU: Qysh në Ish-Jugosllavi kisha licencën më të lartë nga FIFA që pata dhënë provimin në Zlatibor. Këtë licencë e kishin trajnerët më të njohur në ish-Jugosllavi dhe si mentor kishim instruktorët më të njohur të futbollit. Licenca tjera për trajner kam marrë në Medulin, në Paliç edhe në Kovergjano të Italisë ku u pajisa me licenca më të larta të asaj kohe, por pas vitit 1995 ato licenca nuk i pranon Federata Futbollistike të Maqedonisë për shkak se janë të kohës së Ish- Jugosllavisë dhe duheshe të radhitem edhe unë të filloj prej shkallës së parë B dhe A licencë që janë të pranuara nga UEFA .
KOHA: Cilat janë arritjet tuaja gjatë udhëheqjes tënde të KF Slloga (FC Shkupi)?
SALIU: Gjatë punës time në KF Slloga J. shumë herë jemi bërë kampion të Maqedonisë dhe me gjeneratat e reja, derisa kemi arritur të nxjerrim futbollist cilësorë të cilët ndërkombëtarisht kanë qenë të suksesshëm. Kënaqësia ime më e madhe është se nga futbollistët e suksesshëm shumica e tyre përveç që ishin futbollist të mirë, mbaruan arsimim superior edhe disa prej tyre shkuan edhe gjurmëve të mija si trajner profesorë të suksesshëm siç janë Visar Ganiu, Meriton Berisha, Jeton Musliu, të cilët përsëris u bënë trajner dhe pedagog shumë të suksesshëm.
KOHA: Pasi u largove nga Slloga J. hape shkollën e futbollit “Skupi”. Prej nga lindi ideja që të hapësh këtë shkollë dhe ta emërosh me emrin “Skupi”?
SALIU: Pasi hapa një teren sportiv në lagjen Fushë Topanë me barë artificial dhe reflektorë, ndërsa aso kohe te Slloga J. mungonin kushtet elementare për trajnim, me iniciativën e disa prindërve si Kemajl Ajdini, Behar Haxhihamza e disa të tjerë, themeluam Klubin futbollistik ‘Skupi’ dhe filluam hapat e para në këtë klub.
KOHA: Cilat janë arritjet tuaja më të mëdha me këtë klub, duke marr parasysh se ke marr shumë pjesë nëpër shumë turnirë, kurse njëri prej tyre është edhe ai “Norëay Cup”?
SALIU: Përveç që kemi marrë pjesë në shumë turnirë ndërkombëtare, në rajon dhe më gjerë në Evropë, ne jemi edhe fitues të shumë turnirëve prestigjioze si ‘Norëay Cup – dy herë fitues të Kupët 2006 dhe 2016; 4 herë fitues të Kupës ‘Trofeo Mediterano’ në Barcelonë; Fitues të kupës ‘Marez Ma Barcelonë’; si dhe kemi marr pjesë dhe kemi arritur suksese në turnirët në Vjenë, Danimarkë, Izmir të Turqisë Tiranë, Prishtinë etj.
KOHA: Nuk ka dyshim se gëzon reputacionin si një ndër trajnerët me më perspektivë të Maqedonisë, ndërsa ajo që është më e rëndësishmja njihesh si zbulues i talenteve duke marr parasysh se pikërisht nga KF “Skupi” kanë dal futbollist të cilët sot po lejnë shenjë, ndërsa njëri prej tyre është Enis Bardhi?
SALIU: Po është e vërtetë se Enis Bardhi, i cili tani luan në Levanten qysh në moshë 6 vjeçare deri në moshën 15-vjeçare, i bëri hapat e para në klubin tonë dhe talenti i tij ishte i rrallë. Kishte një etikë të jashtëzakonshme të punës, e absorbonte çdo dituri, çdo teknikë dhe suksesi i tij ishte i pritur, ndërsa unë ndjehem krenar me arritjet e tij të deritanishme.
KOHA: A kemi kontakte me Bardhin dhe a vjen ju viziton juve dhe klubin ku ka luajtur si fëmijë?
SALIU: Çdo herë që Bardhi vjen në Shkup, ai vjen dhe na viziton. Tani së fundmi na bëri nder pasi erdh dhe bëri hapjen solemne të turnirit ndërkombëtarë që organizoi ‘Skupi’ për përvjetorin e themelimit të klubit. Për mua por edhe të pranishmit ishte një privilegj i madh që në mesin tonë ishte një yll siç është Enis Bardhi.
KOHA: Po aktualisht te “Skupi” ka lojtar që mund të shkojnë hapave të Bardhit dhe të tjerëve?
SALIU: Sigurisht se ka. Ka shumë fëmijë super të talentuar, por problem kyç është që nën moshën 18-vjeçare si shtet jashtë BE-së nuk mund të luajnë në ndonjë klub Evropian.
KOHA: A ke menduar të braktisësh “Skupin” dhe të fillosh të marrësh dhe të udhëheqësh ndonjë ekip të Ligës së parë apo të dytë e pse jo edhe në Kosovë?
SALIU: Mungesa e Pro licencës që kërkohet për udhëheqjen e ekipit të ligës së parë pasi siç e thash më parë licencat e Ish-Jugosllavisë nuk pranohen më në Maqedoni, janë arsyet pse nuk kam udhëhequr ndonjë klub të ligës së parë .
KOHA: Si e komenton faktin se në Shkup janë hapur shumë shkolla të futbollit. A mendon se kjo është në rregull ose?
SALIU: Shumë është pozitive hapja e shkollave të reja të futbollit, pasi përfshihen të gjithë fëmijët nëpër këto klube të futbollit. Në kohën time ka qen shumë e vështirë dhe kemi pasur problem shumë të madh, pasi mundeshim vetëm në tre klube të ushtrojmë tani mundësit janë më të mira.
KOHA: Cili është momenti më i mirë dhe më i keq gjatë jetës tuaj sportive?
SALIU: Momente të këqija nuk kam pasur, ndërsa momenti më i mirë ishte në vitin 2006 ndeshja ‘Skupi’ – Sao Paolo nga Brazili në kuadër të ndeshjes finale të ‘Norëay Cup”, ndeshje e cila u luajt para pesë mijë shikuesve dhe gjithë auditoriumit norvegjez pasi ndeshja transmetohej në televizionin nacional. Derisa, kënaqësia më e madhe ishte fitorja jonë ndaj skuadrës nga Brazilit dhe fitorja e trofeut
KOHA: Kush është në jetën private Bedri Saliu?
SALIU: Un jam bashkëshort dhe prind i dy fëmijëve Urimit dhe Blerinës. Bashkëshortja ime Sebahatja ka qenë përkrahja ime më e madhe gjatë rrugëtimit tim. Pa përkrahjen e bashkëshortes dhe fëmijëve të mi, nuk do të kisha mundur ti arrij të gjitha këto suksese. Këto janë meritorë për punën e bërë gjer tani.