Shkup, 12 tetor – Është hapur ekspozita e radhës e piktorit Agron Saliu, në të cilën kishte paraqitur portretet e figurave shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Saliu, pas sukseseve të njëpasnjëshme me ekspozitat e mirëpritura brenda dhe jashtë vendit, ka bërë emër të veçantë. Sipas profesor Fatmir Sulejmanit, ai është ambasador arti gjithandej ku ekspozon reliktet e shpirtit – portretet e punuara me dashuri dhe përkushtim të veçantë. Me një shkrim të mëhershëm, Agronin e kam quajtur mohikan që bën jetën e artistit të lirë dhe pushton metropolet evropiane në sajë të punës titanike, pa mekanizma dhe ndihma institucionale. Sot, ndërkaq, kam një apel për përgjegjësit e kulturës së këtij vendi: Ndihmoni artistët e talentuar të kalibrit të Agron Saliut, këta shtergë të rrallë të thesareve të shpirtit, pa të cilët bota do të ishte më gri! Por, t’i kthehemi artit magjepsës të Agronit, pasionit të tij të hershëm – portretit, galerisë së madhe të heronjve, figurave të njohura dhe të panjohura, të vërteta dhe të imagjinuara…T’i kthehemi albumit unikat të qenieve të njerëzishme, që komunikojnë urti, trishtime dhe ndrojtje jete të ravijëzuara në pamje dhe rrudha fytyrash, veçmas në bebe sysh me thellësi oqeanesh, të shndërruara mjeshtërisht në dritare të vërtetat shpirti, që së fundmi, është pasuruar titanësh të kulturës, artit dhe historisë shqiptare, me fytyra të shenjta familjarësh, me të cilët është rritur dhe është profilizuar piktori dhe me figura të imagjinuara lypsarësh dhe femrash, që shpërfaqin dhe plotësojnë botën e brendshme të universit estetik të tij. Jo rastësisht, për Agronin janë thënë gjëra që do t’i bënin nder çdo artisti: Agronin piktor e ka diplomuar arti i tij” (Salajdin Saliu, 2012); “Portretet e Agronit na ndihmojnë ta njohim më mirë epokën dhe qytetërimin tonë, sepse me koleksionin e tij ai e pasqyron njeriun në totalitet, e rrumbullakon portretin e madh të zërit të një kohë – hapësire” (F.Sulejmani, 2016). Piktura e Agronit nis dhe mbaron me një frymë, sepse piktori nuk përhumbet, por mbetet në botën e tij, thotë profesor Miftar Memeti. Përndryshe, veprat e kësaj ekspozite, të përgatitur gjatë dy viteve të fundit, janë realizuar kryesisht me teknikën me vaj në pëlhurë, ndërkaq, sa i takon formatit, janë të gjitha të njëllojta. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 17 tetor, në Qendrën Informative Kulturore. (koha.mk)