Bujar KURTAJ
Shkup, 25 mars – Paraqitja e COVID-19 ka shkaktuar një kaos në udhëtimet ndërkombëtare ajrore, kështu që një pjesë e sportistëve tanë kanë ngecur në metropolet evropiane duke kërkuar një mënyrë se si të kthehen shtëpi pasi aeroporti i Shkupit është plotësisht i mbyllur.
Problem më të madhe për tu rikthyer në Maqedoni kanë boksierët Jasin Lama dhe Goce Janeski, të cilët gjenden në Londër, ku morën pjesë në kualifikimet evropiane për Lojërat Olimpike në Tokio që u mbajtën pikërisht në Londër, ndërsa me ata është edhe seleksionuesi Hesus Sojet, por siç bëri të ditur nënkryetari i Federatës së Boksit të Maqedonisë së Veriut, Faton Saliu, ai nga Londra është rikthyer në Kubë.
Sipas informatave të fundit që nënkryetari Salihu i zbulon për gazetën KOHA, është se të boksierët vazhdojnë të qëndrojnë në një hotel në Londër dhe janë në pritje për tu rikthyer në Shkup, ndërsa kontaktet me autoritetet zyrtare akoma vazhdojnë çdo ditë.
“Jasini dhe Janeski vazhdojnë të qëndrojnë në Londër ku po qëndrojnë në një hotel. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ambasadën tonë në Londër dhe na kanë konfirmuar se të dy boksierët bashkë më udhëtarët tjerë që kanë ngec në Londër, në mënyrë të organizuar deri në fund të javës bashkërisht të rikthehen në Shkup”, deklaroi për gazetën KOHA, Salihu.
Kujtojmë, të dy boksierët javën e kaluar në tentimin për tu rikthyer nga Londra në Shkup, janë zbritur nga aeroplani me të cilin duhej të ktheheshin me kërkesë të autoriteteve të aeroportit, shkaku i situatës së krijuar nga koronavirusi. Lama dhe Janeski kanë hipur në aeroplan dhe para se i njëjti të fluturojë u është thënë se fluturimi është anuluar.
Derisa nga Federata e Boksit të Maqedonisë së Veriut paraprakisht i kishin blerë biletat që nëpërmjet Stambollit boksierët të kthehen në Shkup, por nga kjo nuk ndodhur asgjë. Ndërkohë që në tentimin e dytë u desh që Lama e Janeski nga Londra të zbresin në aeroportin në Selanik, por autoritetet zyrtare të Greqisë nuk lejuan që në aeroplan të gjenden udhëtar të cilët nuk janë nga Unioni Evropian edhe pse boksierët kanë pasur bileta valide. Kështu, ata u desh të qëndrojnë në Londër, ku edhe akoma vazhdojnë të jenë atje në pritje të ditës kur do të rikthehen në Shkup.
Në anën tjetër, pasi të rikthehen në Shkup, Jasin Lama dhe Goce Janeski do të shkojnë direkt në karantinë shtëpiak, ku do të duhet të kalojnë në vetë-izolim 14 dit.