Shkup, 27 shtator – Shëndetësia do të funksionojë ashtu siç ka funksionuar në 30 vitet e fundit dhe nuk do të kemi fare mungesë të energjisë elektrike apo ngrohjes, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë pranim-dorëzimit të sotëm të një donacioni nga Islamik Relif në Klinikën Universitare për Pulmologji dhe Alergologji, ministri Sali informoi se para dy javësh është dërguar një letër për të gjitha institucionet publike shëndetësore që të kujdesen për kursimin minimal të energjisë elektrike.
“Nëse arrijmë të kursejmë deri në pesë për qind, jo në pjesën jetike, por në pjesët që mbështeten, si ndriçimi i natës i objekteve, parqeve, do të arrijmë kursime minimale në të gjithë sistemin”, deklaroi ministri.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Dr. Dejan Dokiq, deklaroi se pret të marrin mjete të mjaftueshme nga Fondi i Shëndetësisë dhe pret ndihmë nga të gjitha institucionet.
“Ndihem i detyruar të negocioj me Fondin e Shëndetësisë, që të marrim fonde shtesë. Të gjitha institucionet duhet të dalin në ndihmë, sepse bëhet fjalë për pacientët, për jetën e tyre. Klinika është në borxhe, faturat e energjisë elektrike ndahen me të gjitha klinikat e brendshme, kështu që ne nuk e dimë shumën e saktë për klinikën tonë, sepse shpenzimet e përbashkëta ndahen në përqindje”, shtoi Dr. Dokiq.