Berisha largoi nga Shqipëria dhe nuk lejoi të dëshmonte për 22 vjet me radhë ish-truprojën e Azem Hajdarit, Zenel Nezaj, drejtësia e re pritet ta marrë në pyetje, lëvizjet për hapjen e dosjes trazojnë prapaskenën e krimit të politikës shqiptare
Lëvizjet proceduriale të drejtësisë në Shqipëri për të hapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, e konsideruar si vrasja e shekullit, kanë alarmuar ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili për 22 vite me radhë ka ndryshuar alibitë dhe akuzat, ka zhdukur prova dhe dëshmitarët, ndërsa nuk ka pranuar kurrë të dëshmojë në prokurori për ngjarjen dhe rolin e tij.
Faktet dhe dëshmitë e kohës provojnë se Azem Hajdari ishte një nga shqetësimet më serioze për Sali Berishën dhe një rrezik për pushtetin e tij. Kush ka ende dyshime, të hapë arkivat dhe të njihet me akuzat dhe sulmet e Sali Berishës ndaj Azemit. Berisha e ka akuzuar Azem Hajdarin si spiun, trafikant, rrugaç, të lidhur me krimin etj., ndërsa para vrasjes, e kishte përjashtuar nga Partia Demokratike dhe grupi parlamentar. Berisha e përgjonte Azemin ditë e natë me anë të Bashkim Gazidedes. Janë publike akuzat e Azem Hajdarit ndaj Gazidedes, i cili e përgjonte, ndërsa bisedat i çonte të zbardhura në zarf Berishës.
Në këto rrethana, Berisha nuk kishte kundërshtar real Fatos Nanon, por Azem Hajdarin, i cili ishte lider i Lëvizjes së Dhjetorit, lëvizje e cila u kap shumë shpejt nga Ramiz Alia, Sali Berisha dhe Sigurimi i Shtetit. Është ky konteksti që ka vënë në dyshim rolin e Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit.
Së pari, Haklajt, konfliktin kryesor e kishin me Berishën dhe jo me Azem Hajdarin
Së dyti, duket i dyshimtë fakti se si Azemi erdhi me urgjencë nga Fieri dhe më pas shkoi të takonte grupin e Fatmir Haklajt.
Së treti, u zhduk telefoni i Azemit dhë më pas vdiq në mënyrë misterioze sekretarja e Berishës, dëshmitare kyçe.
Së katërti, Berisha shkoi me urgjencë në spital, takoi dhe regjistroi dëshminë e truprojes së plagosur të Azemit, Zenel Nezaj, ndërsa më pas e largoi këtë të fundit nga Shqipëria.
Së pesti, Berisha nuk pranoi kurrë të dëshmonte dhe as nuk lejoi Zenel Nezën.
Së gjashti, me Izet Haxhinë, të cilin Berisha e akuzon sot për vrasjen, ka organizuar grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, dy ditë pas vrasjes. Izeti ishte organizatori kryesor me porosinë e Berishës. Izeti u dënua vetëm në bazë të akuzave të Berishës më pas, i cili fillimisht akuzoi Fatos Nanon dhe më vonë tha se kjo ishte lojë. Hapja e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit do t’i zbardhë të gjitha këto pika të errëta, të cilat kanë trembur Berishën.
Ditët e fundit, Berisha ka nisur një fushatë kundër hapjes së dosjes. Ai po nxjerr të besuar të tij, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk ka çfarë të dëshmojë.
Nëse drejtësia do vendosë përfundimisht të nisë hetimet nga fillimi, rol vendimtar do të marrë Zenel Neza, ish-truprojë i plagosur i Azem Hajdarit, të cilin Berisha e largoi nga Shqipëria, fillimisht në Belgjikë dhe më pas në SHBA. Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me shërbimet partnere duhet të marrin masa për të mbrojtur Zenel Nezajn, i cili mund të thirret si dëshmitar. Ata që kanë frikë nga hapja e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit, janë të interesuar që Neza të mos thotë asnjë fjalë. Në këtë luftë për jetë a vdekje për të fshehur të vërtetën, segmente të caktuara mund të ndërmarrin ndonjë akt ndaj Nezës. Në Shqipëri është bërë e zakonshme tashmë zhdukja e dëshmitarëve të krimeve të politikës./Pamfleti