Lojtarët e klasit botëror ditëve të sotme vlerësohen shpesh në media për aftësitë e tyre të jashtëzakonshme teknike. Shumë prej tyre pushtojnë edhe ballinat për arsye të gabuara, siç janë simulimet, ndërhyrjet e tmerrshme dhe madje edhe kafshimet që tashmë duket se kanë zënë vend të zakonshëm në futbollin e sotëm, shkruan BBC.
Një futbollist që përshtatet në të dy kategoritë është qendërmbrojtësi i Spanjës dhe Real Madridit, Sergio Ramos – një fitues i Kupës së Botës që ka 26 kartonë të kuq në karrierën e tij. Megjithëse rekordi botëror i përket kolumbianit Gerardo Bedoyas, me 45 kartonë të kuq gjatë një karriere 20-vjeçare, e cila përfundoi në vitin 2015, me dy përjashtime të tjera që erdhën në rolin e trajnerit. Në skajin e kundërt të kësaj është Abdelhamid Salhi nga Algjeria, i cili shijoi një karrierën 22-vjeçare si lojtar e trajner dhe nuk mori asnjëherë një karton të verdhë, e lëre më një të kuq, për çka edhe u shpërblye me çmim ndërkombëtar. 72-vjeçari ishte një lojtar i vetëm një klubi, duke kaluar tërë karrierën e tij në Entente Sportive Setif (ESS) dhe gjithashtu ka luajtur me Përfaqësuesen e Algjerisë, ku ai vlerëson se në total gjatë karrierës si lojtar aktiv ka zhvilluar mbi njëmijë ndeshje.
Ai filloi si lojtar i të rinjve me klubin e qytetit Setif në lindje të Algjerisë në vitin 1963, ku u aktivizua deri në vitin 1977. Salhi shpjegon se respekti ishte çelësi i aftësisë së tij për ta mbajtur qetësinë dhe për ta evituar kartonin e verdhë gjatë ndeshjes.
“Së pari duhet ta respektosh veten, pastaj kundërshtarin dhe gjyqtarin. Kurrë nuk do të futeni në telashe nëse vendosni respektin të parin, ky është rregulli i artë për lojë të ndershme dhe futboll të pastër. Unë gjithmonë i kam respektuar rregullat në mënyrë fetare. Unë kurrë nuk kam kundërshtuar vendimin e marrë nga gjyqtari, ose kam debatuar me të për ndonjë gjë”, thotë Salhi.
Në fakt, ai kujton me humor se si shokët e tij të skuadrës përfunduan duke u ndëshkuar ndërsa grindeshin dhe debatonin me gjyqtarin për ndërhyrjet e bëra ndaj tij nga mbrojtësit kundërshtarë.
“Asnjëherë nuk e kundërshtova një vendim dhe si kapiten i ndalova edhe shokët e mi të skuadrës ta bënin një gjë të tillë”, shpjegon ai. Ai pranoi se vendimet e gjyqtarëve gjatë karrierës së tij shpesh ishin më pak të buta sesa tani. “Në kohën tonë, nëse një lojtar prekte topin me dorë gjyqtari do t’i jepte një faull ekipit kundërshtar, por nuk do t’i tregonte një karton të verdhë atij”, shtoi Salhi.