Shkup, 21 nëntor – Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2050 në Maqedoni të moshuar do të jenë 33 për qind e popullatës. Në vitin 2008, sipas të dhënave statistikore, persona të moshuar kanë qenë 16,6 për qind e popullatës, ndërsa në regjistrimin në vitin 2002 rreth 15 për qind.
“Maqedonia përballet me numër të madh të popullatës së vjetër. Sipas vlerësimeve të KB-së jetëgjatësia e qytetarëve të Maqedonisë deri në vitin 2050 vazhdimisht do të rritet, kështu që atëherë 33 për qind e popullatës do të jetë mbi moshën 60 vjeçare”, tha sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë Sait Saiti në konferencën e sotme për shtyp me rastin e Javës për kujdes për personat e moshuar “Të gjithë jemi fëmijët e tyre”.
Qëllimi i shënimit të kësaj Jave, sipas tij është që të ngrihet vetëdija publike për nevojën nga intervenimi i personave të moshuar, por edhe për sigurim të kujdesit dhe ndihmës për ta, duke e pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të përqindjes së popullatës së moshuar.
“Nga këto të dhëna rrjedh se nevojat për personat e moshuar për mbrojtje sociale dhe shëndetësore vazhdimisht rriten dhe si rezultat i kësaj imponohet nevoja nga përfaqësimi dhe zhvillimi i formave për mbrojtje jashtë institucionale, që do të mundësojnë shërbime të afërta deri te shfrytëzuesit për të cilët dedikohen”, tha Saiti.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri, konsideron se pasojat nga vjetërsimi si proces mund të ndjehen në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe se për këtë të gjitha vendet, duke e përfshirë edhe Maqedoninë, ndërmarrin masa dhe politika për tejkalimin e pasojave, por edhe mundësim të kujdesit adekuat dhe mbrojtje të personave të moshuar.
Bëhet fjalë, tha ai, në ndërtimin e shtëpive për kujdes, kështu që në Maqedoni ekzistojnë pesë institucione publike dhe 25 private, por zhvillohet edhe mbrojtje jashtë institucionale përmes hapjes së qendrave ditore, qendra të kombinuara ditore dhe qendra për dhënien e ndihmës së personave të moshuar, ndërsa siç potencoi, MPPS do t’i mbështesë edhe OJQ-të dhe bashkësitë lokale të cilat janë të gatshme ta zhvillojnë mbrojtjen jashtë institucionale dhe serviset lokale për ndihmë dhe mbështetje, Mes të tjerash, do të ndërmerren edhe masa për përfshirje sociale të personave të moshuar, integrim shoqëror dhe nxitje të solidaritetit ndër gjeneratave.
Në lidhje me vjetërsimin e popullatës, zëvendësministri i Shëndetësisë Goce Çakarovski është i mendimit se politikat e shtetit duhet të rishqyrtohen që të mund të përgjigjen në nevojat e këtij trendi dhe se edhe Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ndërmerr masa për avancimin e kujdesit për personat e moshuar.
“Realizohen projekte për vizita të personave të moshuar në shtëpitë e tyre, gjegjësisht shërbime polivalente të patronazhit nga shtëpitë shëndetësore vizitojnë persona të moshuar dhe të pafuqishëm. Paralelisht me këtë në kuadër të Ndihmës urgjente mjekësore funksionon edhe shërbimi për mjekim në shtëpi me të cilin mundësohet mbrojtje shëndetësore e personave të moshuar në kushte shtëpie”, tha Çakarovski.
Shënimi i javës së kujdesit për persona të moshuar mbështetet përmes Kryqit të Kuq të Austrisë dhe agjencisë austriake për zhvillim në kuadër të projektit rajonal.