Suad Sahiti, mund të largohet në janar nga skuadra e Rabotniçkit. Këtë e ka konfirmuar vetë futbollisti për gazetën KOHA. Futbollisti me prejardhje nga Kosova, shpesh herë është vënë në qendër të afatit kalimtar, por siç thotë Sahiti, për këtë vendosin menaxherët e tij Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakiq.
“Ka disa klube jashtë Maqedonisë që janë të interesuar për shërbimet e mia, por ka edhe disa nga kampionati maqedonas. Gjithçka ua kam lënë në dorë menaxherëve të mi Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakiq. Nuk dyshoj tek ata se do të bëjnë zgjedhjen e duhur”, pohon Sahiti. Ai pranon se në sezonin vjeshtor nuk ka qenë në formën më të mirë, për shkak se ka qenë edhe i lënduar, mirëpo tani kur është maksimalisht i përgatitur, thotë se është i gatshëm për sfidat e reja. “Aktualisht jam në formë të mirë, pas disa problemeve me lëndime që kisha. Shpresoj se do të jem shëndosh dhe do të bëj gjithçka që të jem më i përgatitur që të mund tu përgjigjem sfidave eventuale të reja që mund të ndodhin në afatin kalimtar të janarit”, përfundoi Sahiti. Ndërkohë, sipas asaj që arritëm të kuptojmë, bashkë me Suadin nga Rabotniçki mund të largohet edhe vëllai i tij Emiri. (koha.mk)