Mbrojtësi i Manchester Cityt, Bacary Sagna, është gjobitur me 40 mijë funte nga Federata angleze e futbollit për shkak të postimit në Instagram: “10 kundër 12” pas ndeshjes ndaj Burnleyt. 33-vjeçari e kishte bërë këtë postim pas fitores prej 2-1 ndaj Burnleyt në Ligën Premier më 2 janar. Nga minuta e 32-të, City luajti me 10-të lojtarë, meqenëse gjyqtari Lee Mason e përjashtoi mesfushorin Fernandinho. Sipas FA, postimi, i cili më pas ishte fshirë, “ngrinte dyshime për integritetin e gjyqtarit”. Përveç gjobës, Sagna është paralajmëruar që të ketë kujdes me sjelljet e mëtutjeshme.