Saga e atit që “rrnoi për me tregue”

Plot 95 vjet më parë, Luke Mria kishte sjellë në jetë atë që më vonë do të fitonte aurën e njërit prej françeskanëve më të kulturuar të Shqipërisë. At Zef Pllumi, që “rrnoi për me tregue”, kaloi plot 26 vjet në burgjet komuniste në Shqipëri. Në tregimin autobiografik “Saga e fëmijënisë”, padër Zefi tregonte se kishte lindur teksa familja e tij veronte në malet e Shkrelit.

“…ishte fundi i verës 1924. Familja si gjithmonë kishte dalë me verue ndër bjeshkët e nalta të Shqipnisë e gjindej prani nji liqeni alpin, aty ku u kufizojshin Malsia e Madhe e Dukagjini. Vendi quhej ‘Tërthorja e Bogës’ në nji naltësi mbi 1600 metër. Mbas mesdite nana eme e pa se duhej gatue bukë tjetër. Tue kenë se kunata e saj, nana Lulë, që ishte zojë shtëpie, kishte ra me pushue, dada muer tojen e sakicen e vogel për me pre nji barrë me dru aty poshtë prozhmit mbi stanet e shaljanve. Mbasi bani nji barrë dru, ndërsa po përgatitej me e lidhë, e kapën dhima të forta. U kujtue mirë. Muer sakicen e vogël me vedi e hini diku mes shkurreve e kërkoi nji cop vend që të kishte sa ma shumë dushk. Aty linda. Ajo me sakicen e vogël ma preu kërthizen e më lidhi, siç kishte ndihmue kush e di sa herë gra të tjera n’aso rastesh.”

Si datë e lindjes së tij u shënua 28 gushti i vitit 1924. Kjo datë të mërkurën është shënuar edhe me një aktivitet në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Ndërkaq presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka cilësuar Zef Pllumin si simbol të humanizmit dhe sakrificës në emër të vlerave hyjnore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Në 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, udhëheqësit të ndritur shpirtëror, simbolit të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut”, ka shkruar kreu i shtetit shqiptar. Sipas presidentit Meta, veprat dhe dëshmitë e at Pllumit ndihmojnë për të luftuar çdo të keqe dhe formë despotike që na largon nga Evropa e bashkuar.

“’Rrno vetëm për me tregue’, veprat dhe dëshmitë e tij të tjera rrëqethëse për krimet dhe monstruozitetin e regjimit komunist, mbeten gjithmonë aktuale si udhërrëfyes, jo vetëm për të njohur me transparencë të kaluarën tonë dhe për të mos ta harruar kurrë atë, por edhe për të na ndihmuar për të luftuar çdo të keqe dhe formë despotike që na largon nga Evropa e Bashkuar dhe synon ta kthejë Shqipërinë 30 vjet pas”.

Në vitin 1931, në moshën shtatëvjeçare, Zefi i vogël hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku jepnin mësime personalitete të shquara të jetës fetare e kulturore të Shqipërisë së kohës si Gjergj Fishta, Anton Harapi, Martin Gjoka, Marin Sirdani e Gjon Shllaku. I diplomuar më 1944, Pllumi kishte qenë një prej bashkëpunëtorëve të revistës “Hylli i Dritës”. Ishte vetëm 22 vjeç kur ai u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me 3 vjet burg, të cilat i vuajti fillimisht në Burgun e Shkodrës e më pas në kampet e Myzeqesë dhe Maliqit. Qelinë, ku i vuajti vitet e dënimit plot tmerre e përjetime të pashembullta, Zefi e përshkruante si dhomë “5 metër të gjanë dhe 2.20 të gjatë ishim 30 vetë” Pas lirimit nga burgu, Pllumi punoi në Muzeun e Shkodrës, kurse më pas për 10 vjet me radhë shërbeu si prift në Shosh. Më 1967, ai do të arrestohej për herë të dytë për t’u burgosur 23 vjet. Vdiq më 25 shtator 2007. (Koha DITORE)