“Të bëjmë një ‘Khan bebe’ dhe të shohim nëse liria e shprehjes aplikohet për të gjithë”. Kështu shkruante aktivisti për lirinë e shprehjes, Yanny Bruere në një faqe në internet ku mblidhen fonde, pak kohë më parë, duke kërkuar që një tullumbac i ngjashëm me atë që ironizonte Donald Trump, të përgatitej për kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan.
Dhe Bruere me ndihmën e shumë të tjerëve ja doli të grumbullonte rreth 60 mijë sterlina (67 000 euro) për projektin e tij, duke bërë të mundur krijimin e një tullumbace gjigande Khan, që u ngrit në ajër mbi Sheshin e Parlamentit në Westminster. Tullumbacja tregon kryebashkiakun e Londrës me bikini dhe shfaqja e saj është një përpjekje e aktivistëve për të nxjerrë në pah rritjen e krimit të dhunshëm në kryeqytetin britanik.
Rrobat e banjës i referohen ndalimit në vitin 2016 të një reklame për produkte dobësimi të vendosur në transportet londineze. Reklama asokohe u gjykua si seksiste, pasi shfaqte një modele me trup të hollë dhe të veshur me bikini të verdha ku thuhej “A është gati trupi juaj për plazh?”. Ironike është se vetë kryebashkiaku i Londrës dha leje për protestën simbolike që u zhvillua sot.
Ai tha për ITV London: “Nëse njerëzit duan të kalojnë të shtunën duke më parë me bikini të verdha, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë, ndonëse nuk mendoj se e verdha më shkon”.