Armando Sadiku është rikthyer te Levante pas huazimit te skuadra e Luganos. Sulmuesi ishte i pafat në aventurën spanjolle teksa pësoi një dëmtim të rëndë. Në këtë formë, për të pasur mundësinë e aktivizimit dhe për të rifituar formën sportive, spanjollët e dërguan në huazim në Zvicër.
Tashmë, sulmuesi është sërish pjesë e Levantes, megjithatë mbetet jashtë planeve të trajnerit. Edhe në ndeshjen e djeshme miqësore të Levantes emri i Sadikut nuk figuronte në listën e lojtarëve të grumbulluar. Në këtë formë, 28-vjeçari është vënë në kërkim të një klubi të ri, për të mos humbur më shumë kohë.
Sipas mediave spanjolle, sulmuesi i Kombëtares është i gatshëm të pranojë të aktivizohet edhe në Segunda Division, ndërkohë që nuk flitet për emrat e klubeve të interesuara. Në Segunda Division, aktualisht bëjnë pjesë edhe dy lojtarë të Kombëtares si sulmuesi Manaj te Albasete dhe Keidi Bare me Malagën.