Shkup, 23 dhjetor – Burim Sadiki dhe Emran Ramadani kanë vazhduar kontratat me KF Renova. Lajmin për gazetën KOHA e ka konfirmuar edhe ndihmëstrajneri i klubit nga Tetova, Dashmir Beari.
“Nga pesë futbollistët për të cilën përmendëm më herët se u kanë skaduar kontratat me dy prej tyre, Burim Sadiki dhe Emran Ramadani, kanë rinovuar kontratat. Të dytë kanë vazhduar kontratat për dy vite dhe për ne si staf teknik ky është një lajm i mirë, pasi të dytë kanë qenë në formacionin bazë të skuadrës. Sa i përket tre të tjerëve, Filip Petkovski, Saimir Fetahi dhe Bashkim Veliu, ata janë ende në bisedime me drejtuesit e klubit”, thotë për gazetën KOHA, Beari.
Ai gjithashtu zbuloi se ekziston mundësia që fazën e dytë të përgatitjeve ta realizojnë në Antali të Turqisë. “Trajneri Vllatko Kostov ka paraparë që përgatitjet ti fillojë më 8 ose 10 dhjetor në Tetovë, ku edhe do të realizojmë fazën e parë. Derisa, në kombinim për të zhvilluar fazën e dytë është edhe Antalia. Por saktë ende nuk dihet se a do të ndodh kjo apo jo”, përfundoi Dashmir Beari, ndihmësi i skuadrës së Renovës.
Cekim, në sezonin vjeshtor KF Renova përfundoi në pozitën e tetë në tabelën e klasifikimit. (B.K.)