Bujar KURTAJ
Shkup, 18 nëntor – Irfan Sadik, vëllai i futbollistit të njohur Berat Sadik, i cili aktualisht luan për skuadrën ruse FC Krylia Sovjetov, është transferuar te ekipi i parë i FC Lahti nga Finlanda. Në fakt Sadik, deri më tani ka qenë pjesë e tre ekipeve të Lahtit, A, B dhe akademisë. Ndërkohë, që 24 golat që i ka shënuar për këto tre ekipe, ka bërë që drejtuesit e klubit ti ofrojnë kontratë profesionale dhe ta inkuadrojnë në ekipin e parë të Lahtit. “Jemi shumë të kënaqur me ecurinë e Irfan Sadik. Është një lojtar shumë i rrezikshëm dhe që shënon shumë gola. Një lojtar i cili luan futboll të qetë dhe i dobishëm për lojtarët e tij”, thonë nga klubi finlandez menjëherë pas arritjes së marrëveshjes me 17 vjeçarin. Derisa, i lumtur për inkuadrimin në ekipin e parë është shprehur edhe vet Sadik. “Sigurisht se jam i kënaqur që kam nënshkruar kontratë me ekipin e parë të Lahtit. Premtoj se do të angazhohem edhe më tepër si në stërvitje poashtu edhe në ndeshjet që do ti zhvilloj. Kam nënshkruar njëherë vetëm për 1 vjet dhe më pas do të shohim se si do të rrjedhin gjërat”, deklaroi për gazetën KOHA, Irfani, i cili deri më tani është aktivizuar për përfaqësuesen e Finlandës deri më 17 vjeç, ndërsa tani do të shkoj të luajë për U 19. “Deri më tani kam qenë pjesë e U 17, ndërsa tani pritet të luaj për U 19. Por, kjo nuk donë të thotë se kam vendosur se për cilën përfaqësuese do të luaj. Këtë do ta bëj më vonë”, përfundoi deklaratën e tij Irfan Sadik, i cili nga mediat finlandeze konsiderohet si një talent i madh i futbollit. (B.K.)