Maurizio Sarri po kthehet në futbollin italian si trajner i Serie A, te kampionët e Juventusit, vetëm pas një sezoni në Premier League (Chelsea). Para emërimit të tij u përfol Pep Guardiola si zëvendësues i Massimiliano Allegrit, i cili u largua muajin e kaluar, pas pesë vitesh me bardhezinjtë. Megjithatë, këto thashetheme janë mohuar nga Arrigo Sacchi, i cili është shok me të dy trajnerët, Guardiola dhe Sarri.
“Guardiola më dërgoi një mesazh, nuk ka pasur asnjëherë kontakt me Juven. Ai është shumë i lumtur te Manchester City, ku sezonin e ardhshëm do të përpiqet të fitojë Ligën e Kampionëve”, – tha 73-vjeçari. Sarri nuk u mbështet plotësisht nga tifozët dhe drejtuesit e Chelsea, pavarësisht se e udhëhoqi klubin londinez drejt vendit të tretë në Premier League dhe fitoi “Europa League” në sezonin e tij të vetëm në “Stamford Bridge”.
Megjithatë, 60-vjeçari konsiderohet ende si një trajner i përpiktë dhe inovativ në Italinë e tij, veçanërisht për punën e bërë te Napoli. Sacchi e ka mbështetur Sarrin, mendon se do të jetë i suksesshëm edhe në Torino. Ai, gjithashtu, beson se Sarri duhet të konsiderohet në të njëjtin nivel me Guardiolën, Klopp dhe Pochettino, tre prej trajnerëve të rinj më të vlerësuar, që aktualisht janë në veprim në Premier League: “
Sarri përfaqëson një zgjedhje revolucionare për Juven dhe një qasje shumë të rëndësishme, sepse bardhezinjtë kanë një histori të tillë dhe kaq shumë tifozë. Nëse ata do të fillojnë të luajnë pak më me guxim, duke aplikuar metodat më moderne të futbollit, do të triumfojnë. Kjo mund të ndihmojë edhe zhvillimin e futbollit italian në përgjithësi. Sarri është në të njëjtin nivel me Klopp, Guardiola dhe Pochettino. Ata kanë të njëjtin vizion të lojës dhe të punës së tyre”.