Në jetën dhe krijimtarinë e këtij autori, u gjet në shpërputhje kohore largimi i tij i hershëm me botimin e vonshëm të veprave të tij. Është për keqardhje që dramat e tij nuk e kanë prekur skenën, ndoshta duke paguar haraçin e të qenit autor i ri dhe anonim, apo ndoshta dhe rezultat të politikave të gabuara të repertorit, siç vë në dukje edhe aktori Bajrush Mjaku
Nga Daut DAUTI
Të shtunën, 29 dhjetor, 2018, ishte një ditë e veçantë për një emër të letrave tona, për një “anonimus” i cili iku para 20 vjetëve nga kjo jetë me hovin e ndërprerë krijues. Para sallës së plotë të Komunës së Çairit, ku u mbajt akademia përkujtimore, me katër vepra të reja, ai, në mënyrën më të mirë, u rikthye në jetë me më shumë “infuzion krijues” në emrin e tij, me një profil më të kompletuar letrar. Si folësi kryesor në cilësinë e redaktorit të këtyre katër veprave të reja, u përpoqa të jap argumentet pse ky autor meriton më shumë vëmendje nga opinioni i lexuesve dhe kritikës, pse meriton të jetë i pranishëm te lexuesit.
PËRTEJ RELACIONEVE PERSONALE: KUSH ISHTE SABRI ZIRAP DAUTI?
Në këtë akademi përkujtimore, në mënyrë indirekte u përpoqa të sqaroj se mbiemrat e njëjtë që i kemi janë rastësi, sepse nuk kemi ndonjë lidhje farefisnore dhe e dyta, relacioni ynë përmes miqësisë shumëvjeçare, ishte një obligim moral për t’ua hequr veprave të tij pluhurin e harresës. Por, dua të them pa pretenciozitet, se në vlerësimin ndaj veprës së tij, assesi nuk jam subjektiv. Këto i them tash edhe nga një arsye tjetër, ndoshta triviale: edhe pse në akademinë përkujtimore ishin ftuar shumë media, vetëm dy televizione kishin dërguar kamerat televizive: ndoshta se redaksitë tjera kishin vlerësuar se kemi të bëjmë me një autor anonim dhe lokal për t’ia servirur publikut të gjerë? Apo pse ndoshta kanë krijuar bindjen se është fjalë për një përkujtim “familjar”(kishte disa folës me mbiemër të njëjtë, por që nuk kishin lidhje farefisnore me krijuesin Sabri Zirap Dauti, gjë që u sqarua në fjalimin tim në mënyrë indirekte). Miqësia shumëvjeçare me Sabri Dautin (1960-1998), katër vjet në fillore, katër vjet në gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe një gjysmë viti në Fakultetin e Gazetarisë(të cilin e braktisi për të vazhduar studimet në Akademinë Pedagogjike në Shkup), më bën obligues dhe përgjegjës para publikut të gjerë për ta përshkruar jetën dhe veprën e shokut, mikut, kolegut të penës. Nuk e ndjej veten si Maks Brodi, të cilit Kafka ia kishte lënë amanet që t’i zhdukte veprat e pabotuara dhe ai, duke mos e respektuar vullnetin e autorit, ia dhuroi botës letrare kryeveprat e mikut(“Procesin”, “Kështjellën”…). Sabriu i ndjerë nuk la amanet çka të bëhet me veprat e tij, nuk e presupozoi vdekjen në atë moshë, ndaj obligimi moral për botimin e veprës së tij lindi disi vetvetiu…
Sabri Dauti nuk është krejtësisht i panjohur për lexuesit. Ai viteve 80-të dhe 90-të ishte mjaft i pranishëm në shtypin letrar në Maqedoni dhe Kosovë. Por, për përmasat(sasinë) e krijimtarisë që ka qenë larg syve të opinionit letrar, kemi pasur dijeni më për së afërmi disa shokë të tij të ngushtë. Prandaj shumëkush do të ketë qenë i habitur nga promovimi i katër veprave të tij përnjëherë në këtë përvjetor të vdekjes. Në jetën dhe krijimtarinë e Sabriut, shumëçka nuk shkoi mbarë dhe u gjet në shpërputhje kohore largimi i tij i hershëm me botimin e vonshëm të veprave të tij. Duke e njohur për së afërmi, kur është në pyetje krijimtaria e tij, kam konstatuar një paradoks: Në shkollën fillore nuk e kishim vërejtur talentin e tij krijues, nuk kishte rënë në sy me ndonjë hartim ose përpjekje letrare. Prandaj, ishte befasi kur në gjimnaz (“Zef Lush Marku”) Sabri Dauti papritur filloi të shfaqë talentin e tij, në fillim me poezi, e më vonë edhe në zhanre tjera letrare. Këtu ndikim do të ushtrojë edhe profesori i gjuhës dhe kujdestari i klasës, Adnan Agai, i cili i përkrahte krijuesit e talentuar.
Vdekja e hershme e Sabriut, për ne miqtë e tij paraqiste një obligim moral për t’u marrë me veprat e pabotuara, ndaj para disa vjetësh i mora dorëshkrimet e tij për të bërë përzgjedhje. Mund të shpreh kënaqësinë që Qendra Mediale për Multikulturë “Toleranca” arriti që përmes bashkëpunimit me Shtëpinë Botuese “Shkupi” t’i bëjë bashkë këto vepra, me një qëllim të vetëm që veprat e mikut tonë të mos i mbulojë pluhuri i harresës.
POEZIA SI STREHIM SHPIRTËROR, DRAMATURGJIA OBSESION
Poezia është zhanri ku filloi krijimtaria e tij letrare. Në poezitë e tij dominon lirika që lidhet me muzën e frymëzimit, muzën reale ose imagjinare, e cila është e pastër, e thellë, e përjetuar shpirtërisht gjer në pakufi. Ligjërimi poetik i Sabriut është i vrullshëm, zëlartë e zëthellë dhe zëthekshëm, i cili ndonjëherë duket i shkapërderdhur në “orkestrimin” e ndjenjave dhe të vargut, por qëllimi i fundit është dhe mbetet që të vendosë atë harmoni komunikimi me subjektin lirik, të ngritë atë në piedestalin e frymëzimit të pashtershëm. Përmbledhja e parë me poezi, “Në gjirin e përjetësisë” iu botua në vitin 2000, dy vjet pas vdekjes dhe tash iu shtuan edhe dy përmbledhje: “Vargje të vjeshtës së vonë” dhe “Fryma e fundit e vetmisë”, ku padyshim shquhet ai lirizëm i pastër, ku dominon motivi i dashurisë, që është i arsyeshëm nëse kihet parasysh se ato janë refleks i moshës së re kur janë shkruar.
Edhe pse në gjimnaz krijimtarinë letrare e filloi me poezi dhe ajo e ka shoqëruar gjer në vdekje, preokupimi i tij kryesor, gjë që është një fakt befasues për një moshë kaq të re, ka qenë dramaturgjia! Drama dhe filmi ishin një preokupim i Sabriut gjer në obsesion. Ai përcillte krijimtarinë kinematografike botërore dhe të vendit, përcillte trendet dhe rrymat artistike, përcillte karrierat e aktorëve dhe regjisorëve të njohur dhe e shihte veten një ditë si një Ford Fransis Kopola, që ishte regjisor i tij i preferuar. Sabriu ëndërronte të bëhej student i Akademisë së Filmit në Pragë, sipas shembullit të një rryme regjisorësh të talentuar që kishin vulën e kësaj qendre kinematografike dhe ishin dalluar me filmat e tyre në fund të viteve shtatëdhjetë dhe në vitet 80-të. Por ndonëse ky qëllim jetësor do të mbetet vetëm ëndërr, kjo nuk do ta pengojë Sabriun që qysh në gjimnaz të shkruajë skenarin e parë për film, i cili natyrisht, asnjëherë nuk do të realizohet, por do të mbetet në fletoret e përpjekjeve të tij letrare bashkë me dramat e para, të cilat do të botohen njëzet vjet më pas.
Në këtë kontekst, entuziasmi i tij i pashoq do të bëjë që magjinë e skenës ta shijojë vetë qysh si gjimnazist, sepse në vitin 1978 do t’i bashkëngjitet Grupit Dramatik pranë Shoqërisë Kulturo-Artistike “Emin Duraku” për të luajtur në shfaqjen “Hakmarrja” të autorit Jusuf Kelmendi. Në këtë shfaqje e cila premierën e kishte pasur në vjeshtë të vitit 1977, ai do ta zëvendësojë një tjetër aktor i cili e kishte braktisur shfaqjen pas një kohe. Ndoshta vendimtare, përveç interesimit dhe afiniteteve të Sabriut për skenën, ka qenë edhe fakti që regjisori i kësaj shfaqjeje ishte fqinji i tij, Mejdi Alidemi, por ku luante një bashkëvendës tjetër i Sabriut, i cili më vonë do të bëhet aktor profesionist Teatrin e Kombësive, Fazli Shaqiri i ndjerë. Po ato vite, Sabriu do t’i bashkëngjitet një projekti tjetër ambicioz, por i cili asnjëherë nuk do të realizohet, nga ana e aktorit entuziast Fetah Memeti, për të bërë një serial televiziv për fëmijë në bazë të një poeme të poetit Abdylaziz Islami, “Korrieri Artan Arta”.
Pas kryerjes së gjimnazit, Sabriu do të vazhdojë aktivitetin skenik, tash edhe si regjisor. Diku në vjeshtë të vitit 1982, pas një heshtjeje të grupit dramatik të Shoqërisë “Emin Duraku”, ai do t’i hyjë me ambicie të mëdha që të realizojë dramën e Azem Shkrelit “Fosilet”. Në këtë shfaqje na angazhoi disa nga shokët e klasës(Fatmir Zukën, Argëtim Nagavcin, mua, Qemal Baftiun, Besim Aliun) dhe disa shokë të tjerë të këtij rrethi(Naser Nagavcin, Azam Dautin, Valdete Meçën, Gani Lokin, Saladin Abdiun etj…).
Pas kësaj shfaqje u shtuan ambiciet e “grupit të Sabriut”, që një vit më vonë t’i hyjmë realizimit të një vepre të Ramiz Kelmendit(“Heshtja e armëve”). Dramatizimin e novelës e kishte bërë vetë Sabriu, i cili ishte edhe regjisor. Mirëpo, realizimi shkonte me shumë vështirësi, me të njëjtat probleme si më parë(pa përkrahje financiare dhe shumë probleme organizative), gjë që ndikoi që të dështojë pak para premierës. Ky mossukses nuk e dekurajoi Sabriun që të vazhdojë të shkruajë drama. Ai pasi kreu Akademinë Pedagogjike, nisi të punojë në fshatra malorë të Karshiakës ku kalonte gjithë javën. Ambienti i qetë idilik natyror, do të ishin një parakusht i favorshëm për punë krijuese, si për dramat e tij, ashtu edhe për një varg përmbledhjesh me poezi, aty-këtu edhe ndonjë tregim që e hasa gjatë përgatitjes së veprave të tij për botim.
DRAMATURGU MË PRODUKTIV SHQIPTAR NË MAQEDONI?!
Duket habitëse kjo dilemë në këtë mestitull, por nëse e përjashtojmë Teki Dervishin, i cili ishte nga Kosova që një kohë jetoi në Maqedoni, pyetja është cili autor shqiptar nga Maqedonia mund të lëvdohet me më shumë se pesë tekste dramash? Duke mos e numëruar edhe ndonjë tekst tjetër, në tri përmbledhjet e Sabri Z. Dautit, kemi gjashtë tekste dramash dhe tri monodrama.
Në librin e parë “Nata në ekzil”, botuar në vitin 2000, u përfshinë tri tekste dramatike: komedia “Nata në ekzil” dhe “Varri i hapur” dhe “Homo homini”. Me botimin e veprave më të reja nga QMMK “Toleranca”, dhe Shtëpisë botuese “Shkupi”, iu bashkëngjiten edhe dy përmbledhje tjera me tekste dramatike: “Santori” ku janë përfshirë dramat “Santori” dhe “Koka e gjarpërit”, dhe “Në labirintet e ndërgjegjes”, ku janë përfshirë tri monodrama dhe një dramatizim. Kështu, ai bëhet njëri nga autorët më të frytshëm shqiptarë në Maqedoni në fushën e dramaturgjisë, por që për fat të keq, asnjë nga këto tekste nuk është vënë në skenë deri tash.
Tekstet dramatike të tij kapin një opus tematik të gjerë, ku dominuese janë dramat familjare, por të vendosura qëllimisht në kohë të ndryshme, disa në kohë të tashme, e disa në një shekull më herët, ku trajtohen mendësi të mbrapshta e vese të kohës. Në dramat familjare siç janë “Santori” që botohet tash dhe “Varri i hapur” dhe “Homo homini”, të botuara më herët, ai mëton të bëjë një “viviseksion” të anomalive të shoqërisë njerëzore. Dramat e tij janë “të rënda”, kanë për temë çrregullime që shkelin rëndë moralin njerëzor, heronjtë e tij të shpeshtën janë mëkatarë, të cilët me vetëdije ose pa të janë zhytur deri në fyt në llum, të cilët edhe pse përpiqen, nuk ikin dot nga veset dhe degradimi i njerëzores, me çka të shpeshtën përfundojnë keq. Një dimension tjetër ka komedia “Nata në ekzil”, ku autori i bartë në Evropë, hallet e hallexhinjve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi në një periudhë dramatike, atë të pas përmbysjes së komunizmit. Këta hallexhinj në Evropë përveç se me hijet që i ndjekin pas(varfëria ose luftërat prej të cilave kanë ikur), ndeshen edhe me “mentalitet dialektor”, sepse ata bartin edhe vetëdijen dhe mendësinë e mjediseve prej nga e kanë origjinën, shpesh të shoqëruar me “pengesa” të ndërsjella komunikimi.
Te drama “Santori” kemi një rrëfim bashkëkohor brenda një familje ku hyn një “krimb”(në kuptimin metaforik) që e bren përbrenda harmoninë familjare, prishë raportet bashkëshortore dhe raportet fëmijë-prindër, duke i çuar në një shteg pa rrugëdalje, që mund të zgjidhet vetëm në mënyrë tragjike. Ndërkaq te drama e dytë, “Koka e gjarpërit”, kemi një përpunim të legjendës për gjarpërin e shtëpisë, që këtu është shkak i një lëngate misterioze, sa shpirtërore, aq edhe fizike, që s’ia dinë shkakun dhe që e kaplon protagonistin. Drama fizike e shpirtërore tij nuk do të zgjidhen pa u zgjidhur misteri, që në këtë dramë lidhet me legjendën e përmendur.
Te përmbledhja “Labirinti i ndërgjegjes” kemi disa monodrama të cilat dallohen me një gjuhë ekspresive dhe mjaft emotive, ku personazhet shpalojnë botën e tyre të brendshme, atë se si ata ndeshen përballë sfidave jetësore, si bota i ka ekskomunikuar ata dhe i ka lënë të zhvillojnë vetë betejën jetësore, duke u përballur sa me kodet e përgjithshme të shoqërisë, aq edhe me furtunat shpirtërore të vetvetes. Te monodrama “AJO” kemi rrëfimin e një vajze që është gjetur e anatemuar si nga familja, si nga mjedisi për shkak të dashurisë dhe frytit të dashurisë së ndaluar, ndërsa te monodrama tjetër “Gjaku i tepërt” na e zbulon mjeshtërisht ndërgjegjen e e errësuar të personazhit i cili është i detyruar të marrë gjakun e të vëllait, si një obligim kanunor, si një ves i mbrapshtë që nxit krimin dhe nuk e ndal zinxhirin e krimit, si një fenomen njerëzor universal por këtu edhe kod kanunor i vetrregullimit të krim-dënimit, që e kemi te njohur te populli shqiptar. Në këtë përmbledhje, është edhe një monodramë e frymëzuar nga mosha djaloshare, mosha e pjekurisë dhe depërtimit në jetë, përmes motivit pothuajse Gëtean të ëndrraqit vuajtës si te “Vuajtjet e Verterit të ri”. Sabriut i kishte lënë shumë mbrresa përmbledhja poetike “Lum Lumi” e poetit të shquar Ali Podrimja, i cili për lajtmotiv e kishte kërkimin e ilaçit për sëmundjen e pashërueshme të birit të tij Lumit. Pikërisht tragjikja e poezive të kësaj përmbledhje e ka shtyrë Sabriun që të bëjë një dramatizim, por unë do të kisha thënë, një tekst të mirëfilltë dramatik, i cili do të ishte shumë i përshtatshëm për shfaqje eksperimentale që e ka titulluar “Udhëtimi i fundit i Lum Lumit”. Gjithë atë dhimbje të pashtershme që shfaqet në vargjet e Ali Podrimjes, në një botë moderne ku lëngatat nuk ka ilaç, i jep frymëzim Sabriut që të bëjë një thurje krejtësisht të re dramatike, të krijojë personazhe të mirëfillta, por duke e ndjekur frymën e poezisë së Ali Podrimjes, duke ia vënë kulmin kullës ku është strehuar dhembja poetike e tij.
Është për keqardhje që deri tash këto drama nuk e kanë prekur skenën, ndoshta duke paguar haraçin e të qenit autor i ri dhe anonim, apo ndoshta dhe rezultat të politikave të gabuara të repertorit, siç vë në dukje edhe recensenti Bajrush Mjaku.
Me botimin e këtyre katër veprave lahet një borxh ndaj një krijuesi të talentuar që erruptoi si vullkan, por që e fashiti vdekja e papritur. Nuk është vendi për të akuzuar dikë përse rrugën e afirmimit nuk e eci në kohën e duhur, sepse janë edhe rrethanat e pafavorshme dhe mundësitë e kufizuara për botim, kur nuk kishte kaq shtëpi botuese dhe mjete buxhetore sa ka sot, si dhe rruga e vështirë edhe për ta gjetur skenën një dramë e ndonjë autori të ri. Gjithsesi, gjashtë vëllime të veprave të tij, duhet të mjaftojnë për të dhënë një profil më të kompletuar të Sabri Zirap Dautit si autor me vepra të larmishme zhanrore, dhe përmes një vlerësimi objektiv të kritikës letrare, ta zë vendin e merituar në letërsinë që krijohet ndër ne. Mendoj se krijimtaria e tij, as për nga sasia, as për nga vlerat, nuk është inferiore kundrejt krijimtarisë që është krijuar dekadave të fundit ndër ne. Veprat tash mund të flasin vetë për autorin e tyre.
BIOGRAFIA
Sabriu lindi më 6 maj të vitit 1960 në fshatin Kopanicë të Dërvenit të Poshtëm, në komunën e Sarajit, ndërsa familja e tij u shpërngul në Shkup nga mesi i viteve 60-të. Pas gjimnazit “Zef Lush Marku” do të diplomojë në Akademinë Pedagogjike dhe pastaj do të punojë si mësues në disa shkolla të fshatrave malorë të Karshiakës së Shkupit, si Mallçishtë dhe Paligrad. Vdiq më 25 tetor të vitit 1998, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 38 vjeçare.
VEPRA TË SABRI Z. DAUTIT:
- “NË GJIRIN E PËRJETËSISË”, 2000 (poezi)
- “NATA Në EGZIL”, 2000 (dramat: “Nata në ekzil”, “Varri i hapur”, “Homo homini”)
- “SANTORI”, 2018(dramat: “Santori”, “Koka e gjarpërit”)
- “LABIRINTET E NDËRGJEGJES”, 2018 (monodrama, dramatizime, tregime: “Udhëtimi i fundit Lum Lumit”, “Ajo”, “Gjaku i tepërt”)
- VARGJE TË VJESHTËS SË VONË, 2018 (poezi)
- FRYMA E FUNDIT E VETMISË, 2018 (poezi)