Një aktor shumë i njohur i skenës shqiptare, Sabit Zeneli vjen në një bisedë të gjatë për InfraRed të gazetës KOHA. Ndonëse dikush mund të ketë harruar atë, por sapo të lexojnë intervistën dhe të shohin pamjen e tij, do ju bie ndërmend roli i Aleksandrit në filmin e famshëm “Hikmetja”. Ai flet për shumë gjëra dhe role se si ka qenë skena e filmit në Kosovë para e pas lufte
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndiheni duke qenë se jeni një nga aktorët dhe personazhet më të njohur shqiptarë?
Gjithsesi është ndjenjë e mirë kur je i vlerësuar për punën që bën, madje edhe kritikat dhe sugjerimet dashamirë janë të mirëseardhura edhe pse në këtë punë ka edhe hatërmbetje kur ka tendenca të ndryshme, por gjithsesi njeriu ndihet mirë kur bën diçka që pëlqehet nga te tjerët.
KOHA: Ndjenë nostalgji nga koha para shumë vitesh kur ka pasur shumë xhirime e projekte e tash që gjërat kanë ndryshuar?
Sigurisht që ndjej nostalgji për atë kohë të kaluar. Kur kthehesh prapa dhe i kujton punët që janë bë dhe i kanë shërbyer dikujt s’ka si të ndihesh ndryshe, ta zëmë kohën e okupimit klasik kemi punuar në kushte tejet të vështira e besa edhe të rrezikshme por nuk jemi ndalur kemi dashur ta bëjmë jetën më të durueshme edhe pse jashtë institucionale. Ta zëmë në Podujevë kemi pas adaptuar një bodrum të një shtëpie private dhe me ndihmën e disa biznesmenëve kemi ndërtuar një skenë dhe ulëse për publikun, pra ka qenë si të thuash një teatër bodrum, por ka pas vërtet shfaqje të mira si ka qenë “Zona e hijeve” e cila ka fituar në të gjitha festivalet që organizoheshin në atë kohë. Merreni me mend aty sot shiten perime e pemë dhe nuk ka dikush të paktën ta vendosë një pllakë që brezat e ardhshëm të kenë dijeni si është punuar në ato kushte. Kontaktet me njerëzit që kemi punuar bashkë kryesisht videokaste tashmë janë më të zbehta se dikur, sepse njerëzit janë shkapërderdhë gjithandej, por shihemi për një kafe sa për të evokuar kujtime dhe pajtohemi për një gjë: sot nuk është aspak më mirë pos që nuk kemi frikë nga policia.
KOHA: Ke xhiruar edhe nëpër kohëra të vështira, megjithatë ia ke dal me shumë sukses?
E thashë që vërtetë kanë qenë kohë të vështira, por kemi patur sukses, sepse siç e dini, nuk ka pas mediume përpos atyre të shkruara dhe ajo ka qenë mundësi e mirë që populli mos të jetë në errësirë të plotë sa i përket këtij zhanri e qe besa edhe materialisht nuk ka qenë aq keq, bile do të thosha se ka qenë ma mirë falë producentëve të ndryshëm nga diaspora, por edhe atyre vendorë.
KOHA: Fëmijërinë e ke kaluar në Kosovë?
Fëmijërinë e kam kaluar në Kosovë, gjegjësisht në Llap në një familje të madhe ku ka pas disa shahira (këngëtarë folklori) dhe netëve – sidomos dimrit, kemi dëgjuar me endje rrëfimet e pleqve dhe këngët e tyre. Po e përmend që gjyshi im dhe dy vëllezërit e tij kanë jetuar nga 106 vjet dhe kur i mbaj unë në mend, kanë patur rreth 85-90 vjeç me mjekra të bardha dhe jo vetëm familja jonë, por edhe të tjerë vinin mbrëmjeve t’i takonin. Jashtë Kosove nuk kam jetuar asnjëherë, por kam vizituar shumë vende të botës dhe jam njohur me kultura të ndryshme.
KOHA: Fama që ke pasur atëherë sa ndikon tash, a të ftojnë nëpër xhirime të projekteve dhe me çfarë merresh momentalisht?
Vërtetë atëherë kam pasur, le të themi – më shumë famë, sepse siç e thashë më lartë, kohët kanë qenë të tilla. Në vitet e para luftës ka pas bë bujë filmi “Hikmetja”, dhe njerëzit më njihnin në rrugë e kudo dhe jo rrallë ka pas biseda të pakëndshme dhe akuza kinse nuk është dashur ta luaj atë rol serbi ose po dukesh tamam si ai personazhi edhe pse nuk e kanë pa kurrë bile ka pas edhe të tillë që kanë menduar se jam serb (qesh). Po ju them një gjë, fama është sikur parfumi, aromën më së paku e ndien ai që e mbanë dhe sigurisht që të bën të ndihesh mirë por ka edhe çaste të pakëndshme sepse gjithmonë duhet patur kujdes të shtuar si sillesh, si vishesh çka fletë…sa i përket angazhimeve kam ftesa herë pas herë por jo gjithherë me flenë dhe aty ku mendoj se mund të bëjë kreacion pranoj. Vitin e kaluar kam qenë i angazhuar në filmin e metrazhit të gjatë ‘Kësulat’ të një produksioni anglez, mandej në serialin 112, në një shfaqje në regji të prof. Ahmet Jakupit. Para pak ditësh kam përfunduar xhirime të në një komedie dhe gjithashtu në shfaqjen ‘Tenda’ në regji të Agron Gërgurit e cila është në proces, pra pritet të marrë pjesë në festivalet në Kosovë dhe në rajon. Ju e dini se që katër vite është themeluar Teatri profesionist Avdush Hasani në Podujevë dhe se po këtu sivjet mbahet edicioni i 11 i festivalit tradicional Teatri Ndryshe andaj kemi mjaftë angazhime.
KOHA: Cila ishte profesioni i ëndërruar para se të bëhesh aktorë?
Njeriu gjithmonë ëndërron disa profesione, por më së shumti kam dashur të bëhem pilot, por nuk e kam realizuar dot edhe pse kam bë përpjekje në këtë drejtim. Në ish armatën jugosllave kam shërbyer si ushtarë kuptohet pikërisht në aviacion, por ka qenë viti 81 dhe as ata nuk na besonin e aq ma pak na atyre dhe asgjë askujt, mbeti vetëm dëshirë…
KOHA: Rolet që keni luajtur e reflektojnë personalitetin tënd?
Jo gjithaq, por nuk mund të them që nuk kanë pasur ndikim, sepse njeriu mëson shumë gjëra nga teksti i shfaqjeve dhe skenarët e filmave dhe marrë parasysh që shumicën e roleve kam luajtur serbët e rusët atëherë kuptohet (qesh).
KOHA: Cili është çelësi i lumturisë për ty?
Familja ime gjithsesi… nuk ka më mirë se kur njeriu ka fëmijë të hallallit si thuhet, prandaj shtatë fëmijët e mi dhe gruaja natyrisht janë fryma ime dhe padyshim që më bëjnë të lumtur çdo ditë, e në veçanti dy nipat edhe pse njëri në diasporë, e ku ka më mirë se të kesh një familje të shëndoshë.
KOHA: Cila është këshilla më e mirë që keni marrë para se të futeni në këtë profesion?
Këshilla më e mirë dhe ma reale ka qenë e një profesori të letërsisë, ndjesë pastë i cili më ka thënë se prej kësaj pune askush nuk është bë shpi…dhe ka pasur të drejtë, e shihni sot sa aktori sorollatet kot e besa punojnë punë tjera qoftë kamarier-e apo roje nate…nuk mund të depërtojnë sepse ekzistojnë klane edhe në art i ngufasin, për më keq edhe kur angazhohen marrëveshjet janë zakonisht xhentëlmene dhe rastësisë që kurrë nuk i shohin parat dhe kështu thyhen shpirtërisht, keq shumë keq…
KOHA: Hobet e tua?
Hobi, padyshim shenjëtaria sportive, dikur jam marrë më këtë sport andaj sa herë kam kohë ja mësy poligonit hala mirë po qëlloj, (qesh).
KOHA: Një ditë e jotja pushim si është?
Një ditë e imja nuk diçka të veçantë, kur nuk kam prova në teatër apo ndonjë angazhim tjetër zakonisht dalë me shokë ose në të shumtën e rasteve dalë për peshkim dhe në ndonjë shëtitje diku ku është rehat si në bjeshkë…
KOHA: Planet për të ardhmen?
Nuk kam kushedi çfarë planesh, por kam ndërmend ta organizoj një festival të folklorit, natyrisht nëse gjejë përkrahje e të tjerat varen edhe nga ndonjë ofertë për projekte, më së shumti kam nevojë të shëtis e të relaksohem.