Revolucioni tek Inter përbëhet edhe nga një tjetër element, ndoshta ndër më të rëndësishmit. Në Nanchino në Kinë, ku ndodhet selia e Grupit Suning, Walter Sabatini është prezantuar në konferencën e shtypit: ish-drejtori sportiv i Roma-s është koordinatori i ri teknik për skuadrat e Suning, pra të Inter-it dhe Jiangsu. “Është nje nder i madh që ndodhem këtu, nuk e kisha menduar kurrë më parë. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që më ka besuar Suning”. Pra Sabatini do të merret me drejtimin sportiv, transferimet dhe sektorin e të rinjve si tek Inter-i ashtu edhe te Jiangsu Suning, skuadra tjetër në pronësi të Zhang Jindong (që ka gjithashtu kontrollin në dy skuadrat satelit, Gil Vicente në Portugali dhe Mouscroun në Belgjikë).
Sabatini do të jetë ura lidhëse mes Milanos dhe Nanchino: “Nuk do të jem gjatë gjithë kohës në Kinë, por do të kem njerëzit e mi, me të cilët kam punuar në të kaluarën, që do të më zëvendësojnë kur të jem në Europë”. Një detyrë e cila “do të peshojë” në ekonominë e drejtimit sportiv të Inter-it, ku Ausilio do të mbetet drejtor sportiv. Në konferencën e shtypit Sabatini nuk ka prekur tema të nxehta për zikaltrit, në veçanti atë të trajnerit, ku orët e fundit është shkarkuar Stefano Pioli. “Inter dhe Jiangsu Suning duhet të rriten paralelisht, ky është misioni im. Duke nisur nga nesër do të filloj takimet me trajnerin e Jiangsu për t’u njohur me problemet dhe për ta ndihmuar. Do të flas edhe me Marcello Lippi-n, (trajneri i Kinës), do t’i kërkoj të më tregojë se si funksionojnë gjërat këtu”.