Ne po bëjmë arrogancën poaq sa e bëjnë liderët e partive politike ndaj njëri-tjetrit, e nëse paskemi qenë pasojë e kësaj arrogance deri më tani, a nuk është koha të bëjmë rezultat ndryshe? Sepse, po zhytemi bashkë në këtë anije me dërrasa të kalbta tanimë!
Nga Adelina MARKU
Nëse numëroni sa parti politike shqiptare ka këtu në Maqedoninë e Veriut e në emër të një grusht populli që është dyndë për të ik nga ky vend sepse nuk sheh shpresë më – (plus nuk mbrin me I mbajt në mend as emrat e partive politike shqiptare pa gjene se I bëhet lamshi edhe ma i madh në fyt e tru), do ia plasni krysë me një shuplakë dhe nuk do mjaftoheni me këtë skuqim lëkure balli, por e udhës është të pyesni veten se përse ndodh kjo, pra përse ka kaq shumë parti politike. Po po, kjo është tema sot, s’ka tjetër! O nuk ka tjetër! Sepse tjerat vijnë mbas kësaj analize! E dyta çka duhemi të bëjmë është si vijon, pra të mos ia nisim dëngër mëngrave tuj pij çaj e tuj teveqelos nalt e poshtë me llafe pafund se ky këtij kështu ia kish ngul e prandaj ky atij nuk ia kish fal prandaj ky fap e fap kish bo një parti e një Kongres e kish dal rrafsh për Kryetar e nja dy tre aty kish bo nënkryetar e gjithmonë një femër kish gjet për me e bo njajt, por duhemi ul të prapmet e me gjyku qysh me I dhanë fund kësaj hallakame ejakuluse të partive politike këtu, se u turpnum! Masnej analiza duhet thjeshtësu, duhet nis nga e thjeshta, thotë : gjithë këta parti politike shqiptare dhe plus një grupacion goxha i madh sëfundmi tek partia maqedonase ( që iua kalon në votë këtyre shqiptare veçmas. Si, si !? Po, po, mirë e dëgjove !) janë bërë pik e pesë në emër të një populli shqiptar këtu ( Kushtetuta na thotë “komunitet”) i cili popull I mban gjallë dy beteja kapitale në indet e veta: të drejtat identitare kulturore si kapital i parë politik dhe të drejtat ekonomike si kapital i dytë politik i menjëhershëm! E para pa të dytën nuk shkon! As e dyta pa të parën nuk shkon! Sepse po u bone me të drejta kulturore ato duhesh lëvru diku me qëllim që t’i lartësosh dhe t’i bësh edhe më gjithpërfshirëse e më kuptimplote. Për t’i lëvru, të duhen para, të duhet ekonomi e fortë zhvilluse! Kjo e dyta të vyn shumë, sepse edhe të parën edhe të dytën e bëjmë për trashëgimtarët tanë . Ama ka një problem këtu, të rinjtë/rejat po kin! Hmmm, pasha sytë e vajzës sime kam frik se më shumë kemi Krietara dhe Nënkrietara partie sesa të rinj e të rreja! Pra edhe e para edhe e dyta lypin një gjë që ka të bëjë me një emërues të përbashkët: lypin trashëgimtarë, të rinj të rreja! Lypin votë të angazhuar!
Ah, po, na paskan përçarë partitë e etnikumit tjetër – këtë do e dëgjoni të thuhet si konstatim I parë dhe I fundit! Sigurisht që të përçan tjetri kur Kryetarët dhe Nënkryetarët nuk arrijnë dot me definu, afirmu dhe zhvillu dy prioritete përgjatë jetës politike, pra: identitetin kulturor në emër të trashëgimtarëve dhe ekonomi të zhvilluar përsëri në emër të trashëgimtarëve. Rrafsh ta bën tjetri, ai /ajo që ty t’a ka lezeti të të përçan ( se ndryshe nuk ishe përç!) kuptimin për tansin kolektive dhe hava ta bën kuptimin për të drejta individuale! Ti si tansi kolektive nuk I ngjan dot vetes më – je stërlodhë nga dëngla mënglat, ndërsa vet si individ- bash frajer dukesh a!
Tani, miq//mikesha ka edhe një të vërtetë, që është ndryshe ! E vërteta e përçamjes kaq të madhe ndër shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut qëndron tek pyetja retorike e që thotë : përse sillemi me kaq arrogancë dhe prepotencë ne shqiptarët këtej në Maqedoni? Përgjigja është poaq shembëllyese: sepse nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillemi në mënyrë arrogante. Arroganca sot është bajraktarizmi I dikurshëm. A dëshiron të dish çka është arroganca që të kuptosh burimin e përçarjes nëpër kaq shumë parti politike të shqiptarëve këtej, plus grupacionit gjigand ngjit mbas partisë maqedonase në pushtet? Ja po e dekodoj pikëshkurtaz arrogancën shqiptare që nuk ka të bëjë ama hiç me zërin e arsyes të votuesit (i cili/e cila vazhdimisht lyp unifikim forcash politike), por ka të bëjë me arrogancën përçarëse si vijon: arroganca që përçan është kamuflazh i pasigurisë së liderëve; arroganca që përçan ka të bëjë me një ego të sëmurë që lyp me u shnosh; është një linjë shumë e hollë në mes të vetëbesimit dhe arrogancës e që është përulësia. Përderisa vetëbesimi të bën me u qesh me za, përderisa arroganca të bën me përqesh, përulësia të bën që të mos mendosh për veten më pak – jo jo, ajo lyp të mendosh për veten, por jo në mënyrën se je më i mirë/e mira se gjithkush tjetër!
Për fund, jam arrogante edhe unë që përqesh arrogancën e liderëve të partive politike shqiptare. A e dini se përse jam edhe unë arrogante? Sepse unë kam aq shumë miq e shokë të suksesshëm e të realizuar finansiarisht e psikologjikisht të cilët/at mund të bëjnë shumë më shumë se vetëm një konstatim për arrogancën përçarëse të partive politike shqiptare këtu! Këtë që e bëra unë me këtë cop teksti! Sepse alarmi është ndezur keq kësaj here e si të pavetëdije sillemi ndaj kësaj, biles me frajerllëk e sodisim e po e humbim kuptimin mbi veten ndërsa trashëgimtarët, i vetvrasim para syve tona vuajere!
Miq, mikesha ne po bëjmë arrogancën poaq sa e bëjnë liderët e partive politike ndaj njëri-tjetrit, e nëse paskemi qenë pasojë e kësaj arrogance deri më tani, a nuk është koha të bëjmë rezultat ndryshe? Sepse, po zhytemi bashkë në këtë anije me dërrasa të kalbta tanimë!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)