Sfidë në vendin tonë dhe fqinjësinë më të afërt mbetet lufta jo vetëm ndaj efekteve negative në vendin e punës dhe në tregun e punës që shkaktohen nga faktorë të ndryshëm subjektiv dhe objektiv, por edhe lufta më e madhe jo vetëm e sindikatave, por edhe faktorëve të tjerë në shoqëri kundër shkaqeve që sjellin pozitën jo më të avancuar, por shpesh edhe më të vështirësuar të punëtorit
Fisnik PASHOLLI
Kryefjala e reformave ekonomike jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në shtetet e rajonit është dhe mbetet sigurimi i një klime të mirë biznesi për afaristët, për investime dhe punësime të reja, për ngritjen e pagave të punëtorëve me mbështetjen në forma të ndryshme të shtetit. Bile edhe gjatë fushatës zgjedhore – është bërë traditë që partitë politike të konsultojnë dhe debatojnë me përfaqësues të biznesit për hapat që do të ndërmarrin kur të vijnë në pushtet. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi biznesi që edhe mbush arkën e shtetit me punën dhe angazhimin e tij, të ketë një respekt dhe trajtim të mirëfilltë nga ana e pushtetit.
Mirëpo, në opinion sikur mungon një debat më thelbësor dhe serioz kushtuar të drejtave të punëtorëve, ku aktiviteti ekonomik nuk do të sjellë benefit vetëm për pronarët e kapitalit, por do të sjellë përfitime më të mëdha edhe për shumicën e punëtorëve. Shteti po ndërmerr hapa të caktuara për një solidaritet më të madh në shoqëri, mirëpo ngadalë po arrihet barazia në të ardhura.
Këtu shtrohet edhe çështja se sa si shoqëri jemi pro modelit ku tregu është mbret dhe do të rregullojë çdo gjë, ku profiti çdo herë është në rend të parë, dhe sa jemi të orientuar ndaj një kujdesi dhe vëmendje më të madhe për pagat, punëtorët dhe mirëqenien e popullatës më të gjerë? Sa edhe në opinion debatohet për respektimin më të madh të ligjeve që mbrojnë punëtorët për të drejtat, punëtorët e rëndomtë, zejtarët dhe biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm, dhe sa dominojnë temat e biznesit të madh? Është çështje debati edhe sa respektohen të drejtat e punëtorëve jo vetëm në letër, sa janë të sigurta dhe sa respektohen marrëveshjet e punës, sa janë të paqarta apo edhe vështirë të zbatueshme dispozitat ligjore që mbrojnë punëtorët?
Një debat i tillë për pozitën e punëtorëve tek ne dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, imponohet edhe nga fakti se çmimi i punës është buzë kufirit të varfërisë. Një pjesë e madhe e popullatës vuan nga mungesa e kushteve materiale apo nuk mund të sigurojë së paku gjysmën e nëntë privimeve materiale siç janë pagesa e qirasë dhe faturave, ngrohjen adekuate të shtëpisë, përballimin e harxhimeve të paparashikueshme, të sigurojnë çdo të ditën ditë mish në tryezë, pushim njëjavor në herë në vit, veturë, lavatriçe, televizor me ngjyrë dhe telefon.
Edhe kriza e fundi e pandemisë në Evropë dhe rajon, po ngre çështjen se sa mbrojtja e të drejtave të punëtore është në pozita mbrojtëse me ruajtjen e pozitave të fituara dhe sa mund të jetë avancuese dhe përmirësuese edhe më tej. Edhe në shtetet më të zhvilluara kapitaliste, asnjë e drejtë e fituar e punëtorëve nuk është e përhershme. Edhe në botën e zhvilluar perëndimore po zgjat konflikti midis kapitalit dhe punës, ndërsa në momente të krizave, një kundërshtim i tillë vetëm se acarohet edhe më tej.
Sfidë në vendin tonë dhe fqinjësinë më të afërt mbetet lufta jo vetëm ndaj efekteve negative në vendin e punës dhe në tregun e punës që shkaktohen nga faktorë të ndryshëm subjektiv dhe objektiv, por edhe lufta më e madhe jo vetëm e sindikatave, por edhe faktorëve të tjerë në shoqëri kundër shkaqeve që sjellin pozitën jo më të avancuar, por shpesh edhe më të vështirësuar të punëtorit. (koha.mk)