Shkup, 4 korrik – Vera është periudhë kur shpeshherë për shkak të temperaturave të larta dhe rrezatimit të rritur UV rekomandohet të mos dilet në vende të hapura prej orës 11 deri në orën 17, të konsumohet shumë ujë dhe ushqim i lehtë dhe të qëndrohet në hapësira me kondicioner.
Për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin, është shpallur edhe faza e verdhë alarmuese në të cilën vlejnë rekomandimet për të gjithë qytetarët nga moti i nxehtë. Nëse shpallet faza e portokalltë atëherë në fuqi hyjnë rekomandimet që përfshijnë të mos shkojnë në punë gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik dhe të mos punohet në vende të hapura në periudha të caktuara kohore.
Megjithatë, duke marrë parasysh valën e të nxehtit që ka përfshirë shtetin dhe tejkalimin e temperaturave mbi 35 gradë, nga sindikatat kërkojnë që menjëherë të merret vendim për shpalljen e kushteve të jashtëzakonshme me qëllim të mbrojtjes së kategorive specifike të punëtorëve siç janë gratë shtatzëne, punëtorët e moshuar dhe ata të cilët punojnë në vend të hapur.
“Duke marrë parasysh se kushtet e motit janë të pavolitshme për punë në të hapur, si dhe në hapësira pa kondicioner, qëndrimi i LSM-së është që nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut menjëherë të merret vendim për shpalljen e kushteve të jashtëzakonshme, me qëllim të mbrojtjes së kategorive specifike të punëtorëve në mesin e të cilave janë gratë shtatzëna, punëtorë më të moshuar, si dhe punëtorë të cilët punojnë në të hapur ose në kushte specifike. Nevoja për marrjen urgjente të këtij vendimi rezulton nga fakti që rekomandimet nuk kanë fuqi obliguese, e me këtë rast nevojitet të rriten kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Punës, duke marrë parasysh se një numër i vogël i punëdhënësve veprojnë për mbrojtjen e punëtorëve nga kushtet e këqija të motit”, shprehen për MIA-n nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Më të prekur janë punëtorët ndërtimorë të cilët punojnë në të hapur. Prandaj, nga Sindikata e Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit – SNIP, kërkojnë që punëtorët të mos ekspozohen në vende të hapura, nën rrezatimin e drejtpërdrejtë të diellit prej orës 11 deri në orën 17.
“Në përputhje me Planin e veprimit për parandalimin e pasojave nga valat e të nxehtit mbi popullatën dhe masat e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës, bëjmë të ditur se punëdhënësit nga gjithë shteti duhet t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta siç janë: mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejt i diellit, evitimi i qëndrimit në të hapur gjatë periudhës prej orës 11-17, konsumim të më shumë lëngjeve dhe përgatitje të ushqimit në mënyrë higjienike”, theksojnë nga Sindikata e SNIP-it.
Kërkesën e këtillë, siç informuan, e kanë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Organizatën e Punëdhënësve.
Nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë në deklaratë për MIA-n shprehen se letrën nga Sindikata e Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit e kanë dërguar deri te anëtaret e tyre dhe se si OPM mund të reagojnë te anëtaret e tyre, por problem paraqesin nënkontraktuesit e punëve ndërtimore të cilët nuk i respektojnë rekomandimet e këtilla.
“Në kompanitë dhe fabrikat në përputhje me Ligjin për mbrojtje dhe siguri gjatë punës duhet doemos të respektohen dispozitat ashtu që hapësirat ku punojnë punëtorët janë me kondicioner, në të kundërtën vijojnë sanksione. Problem paraqesin ndërtimtaria dhe bujqësia. Ne intervenojmë te anëtaret tona, por jo edhe te nënkontraktuesit”, shprehet Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së punëdhënësve.
Edhe sindikatat edhe punëdhënësit janë dakord se nevojitet të forcohen kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Nga Inspektorati Shtetëror i Punës bëjnë të ditur se janë duke ushtruar kontrolle të forcuara, veçanërisht në industrinë e tekstilit dhe në ndërtimtari.
“Kemi kontrolle të forcuara. Resurset të cilat i kemi në dispozicion në këtë moment shkojnë në terren, fillimisht jepen paralajmërime që të ristrukturohet orari i punës dhe të sigurohen lëngje të mjaftueshme për punëtorët. Nëse nuk respektohen rekomandimet, shqiptohet ndalesë për punë”, shprehen nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Me valën e të nxehtit që ka përfshirë shtetin zhiva në termometër është ngjitur edhe mbi 35 gradë, ndërsa sipas paralajmërimit të sinoptikëve, moti i nxehtë do të vazhdojë edhe në ditët e para të javës së ardhshme. Në disa ditët e ardhshme në orët e pasdites mund të ketë vranësira të paqëndrueshme me reshje të shiut dhe bubullima.