“Sa më keq të ishte Diego, aq më pak e ndihmonin mjekët atë”. Ky konkuzion ka dalë nga Prokuroria e San Isidro, e cila po kryen hetimet për vdekjen e Maradonës. Mund të duket e pabesueshme, por ekziston edhe ky dyshim. Materiali në duart e kryeprokurorit John Broyad dhe gjykatësit-hetues Laura Capra është aq i konsiderueshëm, sa shton një vëllim të ri në Enciklopedinë e Denis Diderot.
Material i gjetur në biseda, dëshmi, mesazhe me tekst, karta të sekuestruara. Fakte me shumicë për të shkuar para gjykatës së garancisë për vlerësimin e akuzës së vrasjes për pakujdesi të shtatë të dyshuarve: neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov, psikologu Carlos Diaz, i cili trajtoi legjendën e futbollit në muajt para vdekjes, infermierja Dahiana Gisela Madrid, që e ndihmoi atë gjatë rimëkëmbjes, pas operacionit në tru, në një shtëpi pa oksigjen dhe defibrilator.
Akuzë do të ngrihet edhe për infermierin Ricardo Almiron, gjithashtu i pranishëm ditën e vdekjes së Maradonës në Barrio San Andres, Nancy Forlini; menaxheri i kompanisë së sigurimeve, që merrej me mbulimin klinik të “Pibe de Oro”, dhe Mariano Perroni, punonjës i “Medidom”, një kompani që menaxhonte stafin brenda shtëpisë së ish-futbollistit. Dhe kur një mjek kërkon analiza të reja dhe kontrolle klinike për Maradonën, neurokirurgu Luque i binte shkurt: “Diego nuk dëshiron të të shoh më”.
Pozicione të tjera mbeten për t’u vlerësuar, sepse dolën gjithashtu nga hetimet: ato të njeriut duarartë, Maxi Pomargo, dhe kunatit të tij, avokatit Matias Morla, njeriu që kujdesej për interesat e Maradonës dhe ende ka të gjitha çelësat për të hapur thesarin e pasurive të Diegos, në Argjentinë dhe pjesën tjetër të botës. Në materialin në duart e Prokurorit, fjalia e shqiptuar nga Maxi Pomargo për Leopoldo Luque është shumë mbresëlënëse: “Mos i lini bijat ta marrin me vete. Nëse ndodh, ne e humbasim atë. Ne duhet të rezistojmë. Nëse e bëjmë edhe këtë herë, ka para për të gjithë. Duhet të kujdesesh personalisht, sepse puna e kaq shumë njerëzve varet nga kjo”.
Kështu “menaxhimi” i një njeriu të sëmurë, shpesh në një gjendje të ndryshuar, me humbje të vetëdijes për shkak se i jepej verë, birra, marihuanë dhe pilula të llojeve të ndryshme, ishte katastrofik. Ose kur Luque i kërkon Morlës më pak alkool dhe marijuanë në jetën e Diegos, ai përgjigjet: “Nuk mund ta ndihmoj. Nuk e furnizoj unë. Jam avokati i tij, nuk jam babai i tij”.
Dhe kur Diego shkon për të festuar ditëlindjen e tij me tifozët e Gimnasia, ekipi që ai stërviti, imazhet e portretizojnë në një gjendje shumë të keqe. Ka një arsye: një natë më parë, Morla e kishte bërë të pinte alkool dhe duhan pa kufij. Për një pacient si Maradona, me një zemër të rënduar keq, “përzierjet” e ndryshme të toleruara nga enturazhi i tij mund të lexohen gjithashtu si faqe hyrëse, që tregojnë një vdekje të paralajmëruar.
Më 8 mars, puna e komisionit mjekësor, të caktuar nga gjyqësori, do të fillojë të vlerësojë çdo përgjegjësi në dritën e pasqyrës klinike para vdekjes së kampionit argjentinas. Hetimi i përgjithshëm nuk do të marrë një kohë të shkurtër, pavarësisht nga fakti se prokurori i San Isidro po punon me vendosmëri, nën vështrimin mediatik të miliona individëve në çdo cep të botës.