Këto zgjedhje historike, janë të tilla sepse u refuzuam historikisht, por mbi të gjitha historikisht kemi në dorë të bëjmë ndryshimin! U bë shumëçka për të plotësuar kushtet që kërkonte Evropa, u ndryshua dhe emri që për popullin maqedonas ishte ndoshta sakrifica më e madhe, por nuk ndryshoi varfëria, papunësia, mediokriteti, punësimi partiak, ikja rekord e njerëzve, mungesa e besimit në qeveri, me pak fjalë nuk ndryshoi gjendja e popullit!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Tashmë është bërë e ditur botërisht se në 12 prill të vitit të ardhshëm do të zhvillohen zgjedhje parlamentare të parakohshme në shtetin tonë. Këto zgjedhje të parakohshme erdhën për një arsye të jashtëzakonshme. Kryeministri i vendit Zaev, pasi kaloi një odise politiko-diplomatike sa në zyrat e Shkupit e disa më shumë të Brukselit, nuk arriti dot qëllimin e tij që të fillonin negociatat e shumëpritura për t’u bërë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Kryeministrit para se të merrte “jo-në” evropiane pat’ deklaruar në atë kohë euforike dhe shpresëplota për të se nëse thoshin “Jo” në BE, do të jepte dorëheqjen. Qeveria ngriti flamujt e optimizimit, madje më shumë se vet Zaevi, trompave të suksesit i binin partnerët e tij qeveritarë, pasi muzika e tyre e vetme që luanin edhe në dasma edhe në morte, ishte marshi “në BE jemi nis, turma-turma farë e fis”. Mirëpo pas një mbledhje maratonike BE-ja tha që Maqedonia e Veriut ka ende punë për të bërë që të jetë gati për hapje negociatash.
Kontinenti tha “Jo”! Banda e frymorëve të BDI-së vazhdoi këngën e vjetër se nuk ka dhe nuk di ç’të bëj tjetër për të mbuluar paaftësinë e tyre, kurse Zaevi e kuptoi se ç’kishte ndodhur! I indinjuar me të drejtë po të marrësh parasysh se sa punë prishi me elektoratin e tij vetëm për të hapur negociatat, qejfprishur sa më s’ka me Evropën, Zaev ishte gati të jepte dorëheqjen! Mirëpo e këshilluan që të jepte dorëheqje nga dorëheqja, ai për respekt pranoi, por shpalli zgjedhje të parakohshme!
Telegrame keqardhës me vula ndërkombëtare mbërritën në adresën kryeministrore të Shkupit. Qeveria u vesh me të zeza përveç…dasmorëve të përhershëm! Përfaqësuesit e BDI-së në qeveri, jo vetëm që nuk dhanë 5 pare, po menjëherë ja faturuan dështimin Evropës. Sipas reagimeve të BDI-së duket se është Evropa që humbi shansin e madh të hapte negociatat me Maqedoninë e Veriut, ndoshta këta të BDI-së mendojnë se është Bashkimi Evropian që do të integrohet në Maqedoninë e Veriut, se si integrista që janë duhet t’i dinë mirë hesapet!
Mirëpo ja që hesapet nuk dalin! Sikur as për humor nuk thuhet: le t’a bëjmë Evropën si Maqedonia e Veriut…rrugët e Gjermanisë me rrugët tona…spitalet austriake si spitalet tona…shkollat finladese si shkollat tona…të dhemb imagjinata kur i mendon e jo më t’i shohësh me sy! Se nuk ma merr mendja që të jetë më e zgjuar një parti që nga mali shkoi aq shpejt në zyrë sa nuk e përballoi dot kapërcimin dhe nuk bëri dot as punët e malit dhe as të zyrës!
Zaevi gjithsesi duket se e kuptoi çfarë ka ndodhur! Këta të BDI-së vazhdojnë janë në festë, kurse Zaev jo! Ky është një fakt që duhet analizuar mirë! Pavarësisht se me Zaev më ndajnë shumë gjëra por me thënë të drejtën doja me gjithë zemër t’a dëgjoja tek deklaronte se negociatat filluan, dhe më zuri një lloj trishtimi që u refuzuam, kurse këta të BDI-së, duke lënë sarkazmën jashtë, duket sikur mezi kishin pritur që të ndodhte kjo punë!
Sigurisht që ata i përkasin regjimit të Gruevskit se kanë ndarë pushtetin me të, sigurisht ata dinë të vjedhin natën dhe të këndojnë BE ditën, po të shkonte puna deri më aty sa të silleshin sikur asgjë nuk ka ndodhur pas refuzimit, kjo është befasuese! Ndoshta vjen nga agonia e orëve të fundit që ka kjo parti me ditët e numëruara! Ndoshta është cinizmin politik që ja tregojnë edhe BE-së tashmë që nuk kanë më asgjë për të humbur! Ndoshta frika e tyre për çfarë i pret është aq e madhe (me të drejtë se dëmin e kanë bërë të madh) sa i ka errësuar çdo gjykim objektiv!
Sido të jetë BDI-ja duket se nuk ka asnjë interes të integrohemi në BE, sepse qartazi asnjë nga funksionarët e saj nuk ka bërë asnjë sjellje të politikës evropiane, asnjë nga këta individë nuk dhà dorëheqjen edhe pse i akuzuar për afera të forta korruptive, kurse në Evropë ky gjest është minimalisht ajo që ndërmerret nga pushtetari i dyshuar! Drejtësia evropiane është armik kimik për krerët e BDI-së dhe mënyrën e tyre të funksionimit, po çfarë do t’i bëjnë popullit dhe votës së tij që do i ndëshkojë?! Kësaj here asnjë nga armët e tyre (blerja e votës apo shantazhi) nuk pi ujë!
Këto zgjedhje historike, janë të tilla sepse u refuzuam historikisht, por mbi të gjitha historikisht kemi në dorë të bëjmë ndryshimin! U bë shumëçka për të plotësuar kushtet që kërkonte Evropa, u ndryshua dhe emri që për popullin maqedonas ishte ndoshta sakrifica më e madhe, por nuk ndryshoi varfëria, papunësia, mediokriteti, punësimi partiak, ikja rekord e njerëzve, mungesa e besimit në qeveri, me pak fjalë nuk ndryshoi gjendja e popullit!
Nuk është e mundur të hysh në BE me një Qeveri që është në koalicion me një parti që me ligjet e BE-së do të përfundonte në burg të sigurt! Një parti, politika e te cilës ka mbetur konstante, njësoj integruese e krimit dhe e korrupsionit deri në celulë të shoqërisë, indiferente ndaj thirrjeve të dëshpëruara të njerëzve! Shpresoj që në këto zgjedhje të reflektojë qartë çdo parti politike se popujt e këtij vendi tashmë e dinë qartë se gabimet shumë vjeçare nuk tolerohen më!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)