Keq qenka kur kuptuake Lojën, është njajt sikur të shkosh në treg çdo ditë pa brekë dhe të shtirresh se nuk ke turp! Ja kështu duket njeriu pa ideal, si pa brekë! Kjo garë presidenciale nuk ka ideal, këtë desha të t’a thosha miku/mikesha ime . Është epoka e neoidealizmës këtej, neokuluturës, neopolitikës, neoekonomisë, epokë e pshurrtë fundekrye! Hmmm, nuk më pëlqen, jo…e jetoj, por pa besim!
Nga Adelina MARKU
Sikur çdo gjë të ishte si në spote elektorale dhe si në “selfie” të politikanëve , ne këtu në këtë vend do ishim populli më i lumtur në botë! Ncuk! -mos u gënjeni, mos u tranoni, mos u kapni pas shpresës ndriçuse, kapuni pas shpresës që ju vetë e jetoni çdo ditë. Kjo e juaja quhet MBIJETESË , apo! Sfida sot është si t’a transformojmë në jetesë! E vërteta miq është se më kanë shty të mendoj pak në retrospektivë këto zgjedhje presidenciale . Nëse jam e habitun nga krejt çka shoh ose nëse e kam jetuar të njëjtën gjë ?! – kjo është dilema ime në këtë mëngjes tek po shkruaj që të lexohemi bashkë. Për mua kjo sot është si fatamorgana , e kam parë edhe dikur! Ja që realiteti flet ndryshe , për bes flet shumë më ndryshe ! Më vjen inat t’a them dhe më duhet ndoshta të jem e kujdesshme për atë çka nxjerr nga goja, por seç më ngjan kjo kohë në një të motshme kur vendin ish Presidenti Gligorov , e quante Oazë të paqes – ju kujtohet? (Jo jo, nuk dua t’i jap defetizëm këtij trendi që e jetojmë, unë vetëm dua të konstatoj se jemi duke ba hooooppp pa peshkun në tavë ende!) . Nam bëhej në rregjion, lufta sapo kishte shpërthyer egër, rëndë e dhimbshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë , ndërsa bota politike ende mendohej se si të sillej para këtij gjëmimi të pritshëm apo të befasishëm!? Heeej, në atë shtet çdo gjë ishte e përzime o njeri, rrafsh e përzime, cilin me e mbrojt, cilin me e ndëshku ish dilema atëbotë? Pastaj për boshnjakët të gjithë dakordoheshin se ishin më të amblit, më të mirit, më paqësorit – edhe sot të tillë janë kudo që t’i takoj nëpër forume e konferenca. Ne që pak a shumë e njohim historinë , kemi qejf t’ju kujtojmë atyre se Ilirët kishin jetuar përfshirë edhe vendin që sot quhet BH. Pale , vazhdojmë t’ju themi se jemi vëllezër në një farë forme. Hmmm, ata më shofin habitshëm kur ju them këtë fakt historik! Kjo habi, ka të bëjë me indoktrinimin e asimilimin. Nejse, muhabet i gjatë ky. Arsyeja që përmendi BH nuk është as Ilirofilizmi im e as ndonjë shkas tjetër, por është pikërisht Oaza e paqës që sapo e kish proklamu të pavarur ish Presidenti Gligorov! BH digjej fund e krye, deri në asht, ne këtej ne na thonin që jetonim në Oazë të paqës. Si i thoshin asaj: Stambolli digjej, kurva krihej! Unë mbaj mend se im atë ishte shumë I revoltuar me këtë tip Oaze a! Revolta e tij ishte autentike, argumentuese, por politika njeh absurde të këtilla padyshim dhe shkaku që ne proklamojmë absurditetin e tyne me kaq lehtësi , na bën që sipërfaqësisht t’i kalojmë këto fenomene tuj i rradhit si tip kronike jete!
Tani, t’i kthehem vendit ku jetoj; këtyre ditëve jemi në një garrë presidenciale këtej, është si një tip feste pa shumë trumpetime dhe pa shumë gëzim e eufori -ose të paktën unë si të tillë e përjetoj këtë garë. Këto presidenciale vijnë pas rënies së një regjimi – ashtu lakmojmë t’a quajmë ne pushtetin e gjatë VMRO – BDI , dhe gjoja aktrojmë se jemi çliruar nga ai rregjim përbrendus, izolus – qejfa na ka me iu atribu kësisoj. Pastaj pamëshirë harrojmë në regjimet para kësaj t’a zemë, atë të Oazës së paqës psh, a kish rregjim ma të pist?! Fundja njerëzore qenka, nuk jetohet me mbamëndje zezonë! Sot tek i ndjek kandidatët për president jam e mendimit se vetëm aktrojmë bukur, ose më saktë , jam e mendimit se vazhdojmë të aktrojmë bukur që nga Oaza e paqës, sepse gjërat në shtet nuk i ngjajnë as përafër konceptit për të bukurën dhe për sistemin e mirë, biles do kisha thënë , alarmi rri i ndezur tan kohës! Ne gjejmë veten të gjëmojmë pas zhurmës fillimisht ndaj Prokurorisë speciale, e së fundmi zhurmës që e krijojnë mediat proqeveritare tuj e ndjek nalt e poshtë Kryetaren e antikorupcionit. Ajo tani asht bo “femme fatale” e radhës! Pastaj, krejt shtiremi se i besojmë ! Njëjtë si me Prokurorinë speciale. Phuuu, s’paska më keq kur e kupton Lojën! Jo jo, nuk është ndjenjë çliruse kjo, përkundrazi është ndjenjë mbytëse ! Sepse, miku im /mikesha ime, çdo gjë mer fund kur e kuptoke lojën. Mendoje saças dhe shif se cilën vlerë t’a përmbys të kuptuarit e lojës? Te unë, kjo vlerë e përmbysun mban emrin BESIM. Hmmmm, unë në fakt po hyj në dimenzionin e panjohur të të qenit Adelinë e jam ka pres të konstatoj se si është ky dimenzion pa BESIM , çka do bëjë nga unë ky dimezion, si e në çka do më transformojë! Ose më saktë, si dukeshka gjendja e njeriut tek jeton pa BESIM ngase e paska kuptuar Lojën? Në shikim të parë, më duket se kjo gjendje , kur humbet besimin pra , kur kupton lojën pra dhe kur pret konstatimin e ri për veten pra – ka të bëjë me rënien MASIVE, rrafsh rënie apokaliptike – baaaaaammmmmm – të IDEALIT! Pra, saças, t’a përmbysin idealin zhurmatorët e tan aktorët e angazhum për me t’a reformu atë. “Reformatorët e idealit” i quan shkenca politike këta tipa/tipka. Hej, a reformohet ideali?! JO, ai asht rrafsh autentik! Upppssss, thash alarmi qëndron dhezt hala …sado reformatorët e idealit e mbajnë fshehur këtë fakt . Në hesapin tim , këtë monolog në këtë kolumnë që ma gërvishin këto garrues presidencialë të vakët, të lodhët, përsëritës të vetes kam dëshirën me e nda me ty i/e nderur lexues/e. E dini përse? Sepse unë e kam të vështirë t’ju besoj reformatorëve të idealit tim. Dhe them , ma mirë ndjehem jashtë qarkut të reformatorëve të idealit tim! Të luash tan jetës teatër është TRAGJIKË miku/mikesha ime , ne kemi pranuar një kulturë të re mbijetese ideali që nga koha e ekuidistancës së sy Ciklopit me Oazën e paqes -atë të aktrimit ; teatralë fund e krye padyshim. Oaza e paqes sot përkthehet si Zero problem me fqinjtë dhe është retorikë për mashallah padyshim , sado secili fqinj, e mban jastëkun me pupla për kokën e vet m’u në këtë teritor . Dhe , ka një tezë që thotë se nacionalizmi qytetar vërtet ka gjasa të zëvendësojë nacionalizmin etnik, por vetëm më një kusht, kur ekonomia të ILUMINOJË brendinë e jetës tuj. Ah dhe tek I shoh reformatorët të nxitojnë për të më reformuar madje edhe idealin tim unë konstatoj se ata vazhdojnë të jenë të rrezikshëm , sepse idealizmi I tyre nuk ka rrënjë në BESIM, por është thjeshtë një piskamë euforike për të vënë rrend mespërmes kaosit brenda vetes!
Keq qenka kur kuptuake Lojën, është njajt sikur të shkosh në treg çdo ditë pa brekë dhe të shtirresh se nuk ke turp! Ja kështu duket njeriu pa ideal, si pa brekë! Kjo garë presidenciale nuk ka ideal, këtë desha të t’a thosha miku/mikesha ime . Është epoka e neoidealizmës këtej, neokuluturës, neopolitikës, neoekonomisë, epokë e pshurrtë fundekrye! Hmmm, nuk më pëlqen, jo…e jetoj, por pa besim!
E si t’i ndihmosh Transformimit pa Besimin? – kështu do ishte slogani im presidencial. Bazik! Secili tjetër o mik/o mikeshë, është një Fluskë!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)