Raporti i fundit i Komisionit Europian krahas një pjesë të lëvdatave për përmirësimin e situatës ekonomike në shtet pas një vit të ngecjes, dhe reformave të ndryshme, ka evidentuar edhe shumë mangësi dhe dobësi që duhet të përmirësohen në të ardhmen
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 qershor – Raporti i fundit i komisionit evropian krahas një pjesë të lëvdatave për përmirësimin e situatës ekonomike në shtet pas një vit të ngecjes, si dhe reformave dhe masave të ndryshme për transparencë më të madhe për harxhimin e të hollave buxhetore. Ka shënuar edhe më shumë mangësi dhe dobësi që duhet të përmirësohen në të ardhmen. Njëherazi raporti thekson se është realizuar përparim i mirë në reformat në administratën publike, por megjithatë nevojiten angazhime të mëtejshme për rritjen e përgjegjësisë së administratës dhe pengimit të politizimit të saj. Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht me reformën e administratës së saj publike, ndërsa sa i përket luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar të përgatitjes. Progres i mirë është arritur përmes konsolidimit të deritanishëm të rezultateve në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmes ndryshimeve në kuadrin ligjor.
Sipas Komisionit Evropian, ka përparim edhe në reformat në sistemin gjyqësor, mirëpo institucionet relavante duhet të angazhohen që edhe përmes shembullit të tyre të kthejnë besimin në gjyqësor. Vërejtje ka edhe për realizimin e dobët të investimeve kapitale, kërkohen reforma më të mëdha në tregun e punës dhe përmirësimi i shkathtësive tek të punësuarit. Në bujqësi krahas të arriturave në sektorë të caktuar, shtrohet çështja se sa shteti do të arrijë të shfrytëzojë tërësish të hollat evropiane të fondeve IPARD.
“Në raport janë qartë të theksuara reformat kyçe që janë realizuar si ato pensionale, tatimore, si dhe është theksuar edhe llogaridhënia fiskale si diçka që e shpie vendin përpara .Gjithashtu kemi miratuar edhe strategjinë fiskale që përcakton parametrat kryesor të planifikimit dhe harxhimit dhe atë për një periudhë afatmesme .Kjo mundëson një kornizë të qartë se kah do të lëvizë konsumi publik”, thotë ministri i financave Dragan Tevdovski. Nga ana tjetër, raporti vëren përparim edhe në mbrojtjen sociale, përshëndetet vendosja e pensionit social, ndërsa pritet që varfëria që akoma mbetet problem serioz të zbutet me pagën e garantuar minimale për të papunët.
Nga instituti ekonomik Finance Think thonë se raporti më i ri ofron një pasqyrë realiste të gjendjes së ekonomisë vendore, ku shënohet edhe një përparim i caktuar. “Vlerësojmë se raporti në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje vlerëson hapat e ndërmarra në pjesën e zhbllokimit të proceseve euroatlantike , ndërsa vlerësimet për ambientin ekonomik janë shumë më të kufizuara. Vlerësime të tilla të politikave ekonomike dhe masave të qeverisë janë në përputhje të tërësishme me udhëzimet e ekspertëve vendor për mungesën e një angazhimi më të madh ndaj qëllimit dhe harmonizimit të politikave ekonomike, si dhe kapaciteti të pamjaftueshëm për të sjellë reforma ekonomike në më shumë fronte”, thonë nga Finance Think.
Nga atje shtojnë se në krahasim me raportin paraprak, angazhimet e bartësve janë vlerësuar në mënyrë të ngjashme, duke mos regjistruar ndonjë përparim të rëndësishëm. “Megjithatë, hapësira dukshëm e përkufizuar kushtuar ekonomisë (sidomos në raport me hapësirën kushtuar kritereve politike ), si dhe shprehjet e përdorura si “ përparim i caktuar”, “mbeten dobësitë kryesore”, dhe mungesa e qartë e lëvizjeve apo masave afatgjate lidhur me vendimet ekonomike udhëzon se përparimi në politikat ekonomike dhe reformat po ngec edhe më tej”, thonë nga Finance Think.
Në ndërkohë raporti i Komisionit Evropian thekson edhe nevojën që sa më parë të ndërmerren masa lidhur me kapacitetet e vakëta apo disponueshmërinë e qymyrit për termocentralin e Manastirit, për shkak se kjo çështje ka të bëjë me sigurinë e furnizimit dhe kërkon angazhim duke përfshirë investimet në burime të reja dhe të qëndrueshme.
Nuk duhet anashkaluar as vërejtjet e Brukselit për forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe organeve të përfshira në realizimin e projekteve të mëdha investuese. Vendi duhet të përqendrohet në masat e reformës së lidhjeve për të siguruar qëndrueshmërinë e kësaj infrastrukture. Investimet në infrastrukturën e ardhshme duhet të bëhen në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik, ndihmën shtetërore dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis. Projektet duhet të kanalizohen përmes një plani të vetëm projektues, duke konfirmuar orientimin strategjik drejt rrjeteve ndër-evropiane. (koha.mk)