Ardhja në pushtet e partive politike dhe interesi i votuesve, nuk janë gjithmonë në valë të njëjtë dhe kjo ka ndikuar që të rritet abstenimi në votime. Votuesit me të drejtë ndjehen të dëshpëruar për arsye se premtimet e dhëna nëpër fushata zgjedhore mbeten vetëm në letër dhe kjo rezulton në një demotivim të përgjithshëm
Zenel MIFTARI
Shkup, 18 janar – Është bërë praktikë që para zgjedhjeve të ketë nisma të ndryshme për projekte të mëdha, por menjëherë pas zgjedhjeve ato ndërpriten me pretekstin se ka boshllëk në buxhet apo edhe për ndonjë arsyeje tjetër. Janë projekte të shumta të cilat janë premtuar, kanë filluar fazën e tyre të parë por kurrë nuk kanë përfunduar. Kjo gjendje e krijuar shumë qytetarë i ka demotivuar që të jenë pjesë aktive e politikës, kështu që sipas statistikave sa më shumë që mbahen zgjedhje, aq më tepër bie numri i votuesve. Gazetari Daut Dauti thotë se agjencitë e marketingut duhet t’ua bëjnë me dije partive se një gjë e sprovuar shumë herë, nuk ka më efekt të përsëritet! Është një “film” i parë(de ja vue) që nuk i bën përshtypje. Sipas tij, gjithçka që ndodh në një shoqëri, ka ndikim në disponimin e përgjithshëm të qytetarëve, që reflektohet edhe në motivin për të dalë në zgjedhje.
“E keqja është se qeveritë dështimet më të mëdha i kanë në fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin, rritjen e standardit, zgjidhjen e problemeve ekzistenciale, gjë që e shton mosbesimin dhe bindjen se asnjë subjekt nuk mund të përmirësojë gjendjen, prandaj dhe nuk ia vlen të votosh për dikë, sepse të gjithë janë njësoj në syrin e qytetarit”, u shpreh Dauti.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin që shteti është në një mjegullnajë të përgjithshme, në një kohë ku asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për procesin e migrimit, të gjithë flasin për të, të gjithë akuzojnë, por askush nuk ka shifra të sakta. Ndërkaq analisti Blerim Hyseni, thotë se nismat qeveritare para zgjedhjeve ndodhin për shkak të mungesës së vazhdimësisë në politikat qeveritare, sepse nëse ndërrohet pushteti atëherë ndërrohen edhe projektet. Sipas tij, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë por së paku për projektet që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve duhet të ketë vazhdimësi. Ai thotë se një nga arsyet për rënien e numrit të votuesve është mungesa e regjistrimit të popullsisë që nuk është bërë që nga viti 2002.
“Maqedonia e Veriut ende nuk e di numrin e saktë të banorëve të saj dhe për pasojë është i qartë debati sa i përket listave zgjedhore dhe numrit të madh të votuesve në to. Pa pastrimin e listës zgjedhore nuk mund të flitet në mënyrë të argumentuar se sa është edhe dalja e votuesve sepse nuk dihet numri i saktë në listat zgjedhore”, mendon Hyseni. Ai ka prekur edhe një dimension të rëndësishëm sa i përket daljes së votuesve, të cilën e ndërlidhë me motivimin.
“Motivi ka të bëjë edhe me aspekte socio ekonomike sidomos në vitet kur Maqedonisë së Veriut iu kishte bllokuar perspektiva euroatlantike. Konsideroj që është e domosdoshme që partitë politike pas këtij cikli zgjedhor të mendojnë seriozisht për mundësinë e votimit elektronik sepse përndryshe ndoshta do të vijmë në situatën kur pushteti do të merret edhe me 20% të trupit votues”, përfundoi Hyseni.
Sikundër dihet zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën si rezultat i marrëveshjes së partive më të mëdha politike të cilat pas takimit me Presidentin e vendit u pajtuan që 12 prilli të jetë data e zgjedhjeve. Krerët e partive politike menjëherë pas caktimit të datës së zgjedhjeve kanë filluar t’i bëjnë edhe kalkulimet për ndonjë koalicion të mundshëm. Deri më tani BDI dhe PDSH, janë deklaruar se do të garojnë vet në zgjedhje, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, janë duke shpresuar të shkojnë në zgjedhje me një koalicion trepalësh ku do të përfshihet edhe Alternativa, por kjo e fundit nuk e dëshiron në koalicion Lëvizjen Besa, që sipas saj është “filiale e BDI-së”. (koha.mk)