“Shkalla e ulur e papunësisë është si rezultat i shpërnguljes së të papunëve jashtë vendit, posaçërisht e të rinjve të moshës prej 20 deri në 30 vjet. Është e sigurt se një pjesë e vogël është punësim real nga investimet e reja dhe hapja e vendeve të punës që nxiten me masat qeveritare të prezantuara vitin e kaluar”, shpjegon Bexheti
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 korrik – Maqedonia shënon një rënie historik të papunësisë me 17.8 për qind në fund të tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kur shkalla e papunësisë ishte 19.4 për qind, por megjithatë edhe kjo larg standardeve evropiane, ku norma lëvizë mesatarisht rreth 6%, që do të thotë se papunësia në vendin tonë është ende shumë e lartë, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse, sipas statistikave kemi ulje të papunësisë, sektori privat më shumë se kurrë po përballet me një mungesë të kuadrit të kualifikuar. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, për periudhën prej një viti – numri i të papunëve ka rënë për mbi 35 mijë, por dilema është nëse kjo është si rezultat i vetëm punësimeve të reja dhe, nëse po, si është kjo e mundur kur nuk ka pasur rritje ekonomike vitet e fundit, dhe rritja e parë e madhe e BPV në tremujorin e parë të vitit 2019 është vetëm 4.1 për qind. Cila është arsyeja kryesore për këtë ulje?
A ka filluar më në fund industria e Maqedonisë të punësojë dhe të rrisë prodhimin? Një nga çështjet kyçe të kësaj çështje është nëse kjo prirje e uljes do të vazhdojë dhe sa është e qëndrueshme. Megjithatë, është e vështirë të vlerësohet shkalla reale e papunësisë, veçanërisht nëse merren parasysh struktura, arsimi dhe aftësitë e të papunëve. Profesori në Universitetin e Evropës Juglindore, Abdulmenaf Bexheti thotë për mediat se ulja e papunësisë është për shkak të rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së BPV-së, por është një operacion teknik-statistikor që ndoshta do të thotë fshirja e të papunëve nga sistemi i të dhënave, si dhe shpërnguljet jashtë vendit. “Shkalla e ulur e papunësisë është si rezultat i shpërnguljes së të papunëve jashtë vendit, posaçërisht e të rinjve të moshës prej 20 deri në 30 vjet. Është e sigurt se një pjesë e vogël është punësim real nga investimet e reja dhe hapja e vendeve të punës që nxiten me masat qeveritare të prezantuara vitin e kaluar”, shpjegon Bexheti.
Ai konsideron se çdo ulje e këtillë e shkallës së papunësisë nuk është e qëndrueshme dhe nuk gjeneron një standard më të mirë të jetesës. “Çdo punësim i ri që nuk është rezultat i investimeve të reja, konsumimeve, projekteve ose, nga ana tjetër, nuk është rezultat i faktorëve ekonomik, nuk mund të jetë i qëndrueshëm”, theksoi Bexheti. Sipas Institutit për kërkime ekonomike dhe politikave “Finance think” megjithatë, kjo rënie ka qenë për shkak të rritjes së kërkesës për punëtorë në sektorin privat, veçanërisht në mesin e punëdhënësve të mëdhenj dhe në zonat e lira, ndërsa pjesërisht në tregun aktiv të punës për shkak të masave aktive të punësimit.
“Papunësia në Maqedoni ka një tendencë të rënies, dhe kjo është kryesisht për shkak të punësimit në ZZHTI dhe nxitjeve përmes masave aktive të punësimit. Megjithatë, për të arritur shkallën e ulët të papunësisë të krahasueshme me vendet e Bashkimit Evropian, ne kemi nevojë për reforma strukturore. Këto reforma duhet të rrisin produktivitetin e të punësuarve, por gjithashtu të forcojnë aftësitë për punësimin e të papunëve që kërkojnë punë në mënyrë aktive. Gjithashtu, është e nevojshme rritja e produktivitetit dhe konkurrencës së kompanive vendore në tregjet e huaja, duke stimuluar krijimin e vendeve të punës që paguhen më mirë”, konsiderojnë nga “Financial think”. Sipas profesorit universitar, Marjan Petreski, rënia e papunësisë është si rezultat i zgjerimit të tregut të punës në mënyrë të konsiderueshme, posaçërisht i nxitur nga punësimi në firmat e huaja. “Mund të vërehet se ata vazhdimisht rekrutojnë kuadër dhe ankohen për mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore, që është vërejtje kyçe edhe nga biznesmenët e vendit”, thekson Petreski.
Sipas tij, rol në rënien e papunësisë kanë edhe masat aktive për punësim të cilat i zbaton Qeveria. Nga ana tjetër, Angel Dimitrov, kryetari i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, thotë se një numër i madh i vendeve të punës mbeten të paplotësuara për shkak të hendekut mes ofertës dhe kërkesës. Prandaj, sipas tij, Maqedonia duhet të punojë shumë në harmonizimin e nevojave të shumë profesioneve dhe ofertës së fuqisë punëtore. “Personat që rrezikohen nga varfëria kanë nevojë për më shumë mjete në buxhetin e tyre familjar. Kjo mund të arrihet përmes punësimit të të papunëve në familje dhe përmes rikualifikimit dhe trajnimeve për vende të punës që paguhen më mirë. Në treg mungojnë shumë profesione profesionale dhe zeje, ndërsa personat e papunë që rrezikohen nga varfëria nuk kanë njohuri dhe kualifikime për ato profesione”, thekson Dimitrov. (koha.mk)