Sa është “imune” shoqëria civile ndaj Covid-19?!

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 e luhati bashkëpunimin dhe partneritetin e ngritur mes shoqërisë civile dhe qeverisë në këto tre vitet e fundit. Jo që e luhati, por edhe e shkëputi me vendimin qeveritar për të ulur në mënyrë drastike mbështetjen financiare për organizatat e shoqërisë civile. Shoqërisë civile edhe në periudhën e post-pandemisë do të jetë para sfidave të mëdha. Nëse do të pësojë ky sektor mjaft i rëndësishëm i një shoqërie, do të pësojnë edhe shumë vlera qytetare, do të pësojë solidariteti, vullnetarizmi, lehtësia e nxitjes së iniciativave qytetare, dhe shumë vlera që e përkufizojnë shoqërinë civile

41

Nga: Lulzim Haziri

Shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut ishte ndër të parat që njohu urgjencën e veprimit në përballje me sfidën e panjohur më parë, pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, duke ndërmarrë hapa konkrete dhe duke promovuar solidaritetin, si vlerë pak e njohur në vend, veçanërisht në nivel lokal.

Me këtë përshtatje ndaj sfidës së re, shoqëria civile dëshmon se qëllimi i ekzistencës së tyre është të kontribuojë në ruajtjen e paqes, harmonisë dhe prosperitetit të shoqërisë përmes demokracisë pjesëmarrëse, sundimit të ligjit, zhvillimit të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm socio-ekonomik, jo dhunës dhe respektit.

Duke respektuar masat dhe rekomandimet e institucioneve kompetente, shoqatat qytetare dhe fondacionet, për një kohë të shkurtë arritën të adaptojnë shërbimet e tyre dhe të përshtatin aktivitetet, me qëllim që të vazhdojnë të jenë më afër qytetarëve dhe grupeve të margjinalizuara, tek të cilët shteti vështirë depërton, ose këtë e bën me vonesë.

Siç vjen duke u shkurtuar koha pandemisë, duhet të kujtojmë gatishmërinë e treguar në dhënie të ndihmës humanitare për më të prekurit në formën e produkteve higjienike dhe paketave ushqimore, sigurimit të ndihmës juridike për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve të prekur nga kriza, aktivitetet në mbështetje të viktimave të dhunës në familje, e cila duke qenë për një kohë të gjatë nën një kulm, filloi të rritet; nuk mungoi as ndihma juridike për viktimat e gjuhës së urrejtjes; mbështetja përmes platformave të hapura arsimore për të mbajtur nivelin e qasjes së barabartë në mësimin on-line; ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët në rrezik social; përgatitja e analizave dhe dokumenteve për t’u ballafaquar me rritjen e lajmeve të rreme, masat ekonomike që duhen marrë, shpenzimet më racionale të parave publike gjatë krizës, etj.

Sa për ilustrim të këtyre fushave të veprimit të shoqërisë civile në ballafaqim me COVID-19, program Civica Mobilitas i përkrahur nga Ambasada Zvicerane në Shkup ka shënuar mbi 700 aktivitete të grantistëve të saj në këtë drejtim, ndërsa të gjitha grantet e fondacioneve u riprogramuan dhe riprogramohen për këtë qëllim.

Qeveria e “harroi” shoqërinë civile në luftë të përbashkët kundër COVID-19

Duket se përshtatja e shoqërisë civile me momentin e ri është kapur me kohë dhe me përgjegjësi. Rëndësi të veçantë iu kushtua edhe angazhimit në drejtim të ruajtjes së sundimit të ligjit dhe sigurimit të transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj procedurave që janë ndërmarrë dhe ndërmerren nga institucionet shtetërore në një gjendje emergjente. Me këtë rast, shoqëria civile, ka kërkuar pjesëmarrje të të gjitha palëve të interesuara në këto procese, duke vazhduar edhe me monitorimin e proceseve për të siguruar sundimin e ligjit dhe transparencën e institucioneve në procesin e trajtimit të krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Megjithatë, të kota kanë qenë apelet për përfshirjen e sektorit civil në Këshillin e Qeverisë, në Komitetin Drejtues për koordinimin dhe menaxhimin me krizën, dhe në grupet tjera përkatëse të krijuara në mënyrë që të koordinohen për efektivitet më të madh në nivel qendror si dhe në atë lokal. Me këtë rast, përmes një apeli drejtuar Qeverisë, shoqëria civile dhe fondacionet kanë treguar gatishmërinë që të ofrojnë kapacitetet dhe ekspertizën e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë implikimet negative të krizës aktuale.

Koha e mungesës së gatishmërisë

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 luhati bashkëpunimin dhe partneritetin e ngritur mes shoqërisë civile dhe qeverisë në këto tre vitet e fundit. Jo që e luhati, por edhe e shkëputi me vendimin qeveritar për të ulur në mënyrë drastike mbështetjen financiare për organizatat e shoqërisë civile, botuar në Gazetën Zyrtare të RMV më 9 prill 2020.

Ky vendim, me të cilin mbështetja financiare, në varësi të institucionit, ose është shfuqizuar plotësisht ose reduktuar rëndë, është marrë në një mënyrë jo transparente, pa u konsultuar me organizatat e shoqërisë civile, palët e interesuara dhe publikun e gjerë, i cili flet për qëndrimin joparimor të qeverisë ndaj shoqërisë civile në këtë kohë krize. Me vendimin për të zvogëluar mbështetjen e nevojshme prej afro 525,000 euro, shteti de fakto përjashtoi shoqërinë civile si partner përkatës në trajtimin e krizës së shkaktuar nga epidemia e COVID-19.

Fatkeqësisht, qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk e njohu reagimin e shpejtë për ndërmarrjen e veprimeve që kanë një rëndësi të madhe për qytetarët, por edhe për trajtimin e drejtpërdrejtë të krizës, si një partneritet në luftën kundër COVID-19.

Me këtë vendim, qeveria pengon seriozisht qëndrueshmërinë dhe punën e vazhdueshme të organizatave, veçanërisht në drejtim të ndihmës dhe mbështetjes së tyre për bashkësitë në kohë krize.

Edhe një herë, qeveria u tregua e shurdhër edhe në apelin e shoqërisë civile për ndryshmin e vendimit të saj dhe përmes dialogut dhe në mënyrë transparente të kthejë një pjesë të fondeve për qëllimin e tyre fillestar – mbështetje të organizatave qytetare për të arritur misionet dhe qëllimet e tyre, por veçanërisht për të mbështetur aktivitetet për t’u ballafaquar me krizën e shkaktuar nga epidemia.

Periudha pas COVID-19, sfidë e re për shoqërinë civile

E gjendur në këtë situatë dhe e përkrahur vetëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe sektori i biznesit, organizatat joqeveritare vazhdojnë me misionin e tyre në shpërndarjen e informacioneve, në arsim, në pajisjen e popullsisë, të punëtorëve shëndetësor dhe humanitar me pajisje mbrojtëse, ndërkohë që edhe popullata dhe bizneset mund të posedojnë tashmë pajisje mbrojtëse. Gjithashtu shoqëria civile mbetet e fokusuar edhe në furnizimin e grupeve të margjinalizuara, përkrahjen e viktimave të dhunës, të pastrehët, etj. të cilët në kohën e lëvizjeve të kufizuar u përballën me një sërë sfidash që janë të ndryshme nga pjesa tjetër e popullsisë.

Pa dyshim se kjo gjendje emergjente do të ndikojë në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e shoqatave dhe fondacioneve në mënyrë që të riorganizojnë shërbimet e tyre për të përmbushur nevojat e përdoruesve, fleksibilitetin e programeve të përshtatura me situatën, si dhe mbajtjen e punonjësve dhe vullnetarëve në punë.

Kjo do të jetë sfida më e madhe e shoqërisë civile edhe në periudhën e post-pandemisë. Sa do t’ia arrijë të jetë aktive dhe e qëndrueshme në këtë periudhë nuk varet vetëm nga ta! Nëse do të pësojë ky sektor mjaft i rëndësishëm i një shoqërie, do të pësojnë edhe shumë vlera qytetare, do të pësojë solidariteti, vullnetarizmi, lehtësia e nxitjes së iniciativave qytetare, dhe shumë vlera që e përkufizojnë shoqërinë civile. Si zaptues të hapësirës së zbrazur që mund të shkaktohet me dobësimin e sektorit civil do të paraqiten partitë politike. Por, atëherë do të pësojë demokracia, edhe ashtu e brishtë në këtë vend.(KDP)

Comments are closed.