Çfarë kuptimi ka një debat ku një profesor ia zë për të madhe një hoxhe pse paska rrëfyer se Adem Jashari ka agjëruar? Prej kur qenka mëkat të agjërosh dhe prej kur agjërimi mund t’ia ulë vlerën një dëshmori si Adem Jashari? Kot muhabet…mjerim intelektual të merren me këso temash!
Nga Daut DAUTI
- TË BËSH ISH KU S’KA PULA!
Për një arsye që mund të kuptohet, shpesh shkrepin “shkëndija” midis imamëve dhe intelektualëve jo fort të dhënë pas fesë. Në shikim të parë një “konflikt ideologjik” midis “fetarëve” dhe të “pafeve”, që shpesh kalon në debat pa temë të mirëfilltë, me shumë keqkuptime ndërmjet. Sepse, ke imamë të cilët absolutizojnë gjithçka në vrojtimin e tyre dhe kjo u duket qasje ekstreme të tjerëve dhe ka intelektualë që në mungesë të dijes fetare, mundohen të japin nasihat fetar, edhe pse fusha e tyre është tjetër.
Një keqkuptim panevojshëm kishte lindur këto ditë në Kosovë midis hoxhës ndoshta më të njohur, atij që i ra hisja tragjike për të bërë varrimin e pjesëtarëve të familjes Jashari dhe të një profesori, e pastaj, që të mos mbetet dialog, u kyçën dhe të tjerë. Pse në rastin konkret është fjala për një keqkuptim, një shkëndi’ e panevojshme? Sepse, profesorin e ka irrituar rrëfimi i imamit Osman Musliu, në të cilin del se familja Jashari dhe vetë Adem Jashari ka qenë një mysliman i devotshëm: “Mixha Shaban ka qenë një njeri që ka pasur njohuri fetare, ka pas shkollë fetare. Sa kam dëgju prej shokëve të Adem Jasharit, nga kontaktet me bacën Rifat e shoh nga brendia që është një fetar shumë i pasur shumë si sinqertë. Sipas shokëve të Ademit në Ramazan më 22 janar të vitit 1998 kur e kanë sulmu’ që janë plagos dy vajza, dikush nga shokët ja ka ofruar një cigare, i kanë thënë dheze, por nuk e ka dhezë, ka thënë se e dhezi në iftar”.
Është percepcion personal, po unë nuk shoh problem çfarë sheh prof..BlerimLatifi, i cili këtij rrëfimi i ka dhënë dimension tjetër: “Përpjekjet me fetarizu figurën e Adem Jasharit, rënien dhe sakrificën e tij, janë thjesht dhe vetëm projekt i UDB-së”.
Fjalë të mëdha, pa dyshim, kjo me UDB-ën të bën shumë përshtypje!
Mbase UDB-a i ka bërë mbi 70 për qind myslimanë, ende vetë pa lindur në regjimin komunist të Titos e Rankoviqit!
Nuk duhet të jesh linguist ose stilist i veçantë për të kuptuar kur diçka thuhet aq troç dhe nuk ka nevojë për lexim midis rreshtash . Problemi është për çka këso kualifikimesh të rënda? Të rrëfesh diçka për Adem Jasharin dhe të tregosh se midis tjerash, ka qenë edhe fetar i devotshëm, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, nuk mendoj se e ulë flijimin dhe përkushtimin për kauzën kombëtare? Ku është kontradikta te këto fjalë të hoxhës?
Është e vërtetë se disa imamë janë të prirë ta minimizojnë angazhimin kombëtar të njerëzve duke shkuar më tutje, që në emër të fesë edhe të mohojnë vlerat dhe figurat kombëtare nëse ata s’janë myslimanë (Skëndrbeun, Nënë Terezën…), ose të minimizojnë ose relativizojnë bëmat gjatë pushtimeve në tokat shqiptare dhe të adhurojnë pushtuesin e të mos bashkëndiejnë me të pushtuarin, sepse pushtuesi ka qenë mysliman. Kjo është ajo përzierje e gjërave që bëjnë ata kotnasikoti. Por, në rastin e përmendur, keqkuptimin e krijon profesori universitar, i cili duhet t’i shikojë gjërat pak më gjerë, qoftë për shkak të kulturës që duhet të jetë më e gjerë se e një kleriku i cili flet me kodet që ia jep feja, qoftë edhe ngase besimi është individual, e jo domosdo duhet të bie ndesh me përkushtimin kombëtar. Ku e sheh prof. Blerim Latifite rrëfimi i hoxhës se me pohimin se Adem Jashari ka agjëruar ramazanin, ai paska si qëllim ta fetarizojë, që sipas tij, sigurisht do të thotë edhe ta zhveshë nga lufta e tij për komb? Pse, a nuk mundeshka që Adem Jashari, duke e ditur flijesën epike me familjen e tij për kauzën e Kosovës, që njëkohësisht të ketë qenë edhe mysliman i devotshëm dhe nëse kjo është e vërtetë, duheshka të jetë “fetarizim i figurës së tij”? E po çka të themi për Nolin, Fishtën, Koliqin, Mjedën, vëllezërit Frashëri…? Nuk do t’ua përmendim që kanë qenë myslimanë, katolikë, ortodoksë…, nga frika se mos ua ulim vlerën kombëtare?
Dhe, kur çelet një temë koti si kjo, po ashtu si kot e kot futen edhe të tjerë sa për ta bërë më të plotë kotësi! Paramendoni, kur analistë që duhet t’i peshojnë mirë fjalët para publikut, dalin që “ta mbrojnë” Adem Jasharin nga hoxha, mbase duke dashur që t’ia rrisin “vlerën kombëtare”, duke thënë se e kanë parë Adem Jasharin duke pirë birra? Vallë, mos duan të thonë se birrat e bëjnë më patriot, e agjërimi më pak shqiptar!?
Një rrëshqitje debati në iracionalitet dhe banalitet! Çfarë kuptimi ka një debat ku një profesor ia zë për të madhe një hoxhe pse paska rrëfyer se Adem Jashari ka agjëruar? Prej kur qenka mëkat të agjërosh dhe prej kur agjërimi mund t’ia ulë vlerën një dëshmori si Adem Jashari? Kot muhabet…mjerim intelektual të merren me këso temash!Prandaj ky debat në relacionin hoxhë – profesorë – analistë, më duket si me çelë debat pa nevojë, ose si ajo popullorja me ba ish ku nuk ka pula!
- AMAN MË ME “REGJIMIN”…!
Ka pesë vjet që më “regjimi” nuk është në pushtet, por kjo nuk pengon që në debatet politike të përmendet sërish. Dhe pikërisht para pak ditësh, në një debat televiziv shikuesit patën rast të dëgjojnë një nga vlerësimet më “origjinale” për “regjimin”, se ai (regjimi, pra!)qenka gjallë edhe në këtë qeveri. Sa mendon publiku se ndoshta e kanë tezën se edhe kjo qeveri sillet si regjim, kur, ja, vjen sqarimi regjimi na qenka gjallë përmes BDI-së! Që domethënë, pjesa LSDM-iste e qeverisë është OK në çdo pikëpamje, ndërsa BDI-ja sillet ende si regjim.
Të mos jetë për të qeshur, do të ishte tragjike! Sepse, në atë çka mbajmë mend nga “regjimi i Gruevskit” janë aferat korruptive me miliona euro, keqpërdorimi i pushtetit për interesa të ngushta partiake e individuale, kontrolli gjyqeve dhe medias, azdisja me paratë buxhetore për projekte kiç në qendër të Shkupit etj. I bie që në këtë qeverisje që është qe pesë vjet, BDI-ja qenka ajo dele e zezë e cila i bejka të gjitha punët që i ka bërë qeveria e Gruevskit, ndërkaq gjithçka që bejka partneri i koalicionit, LSDM-ja, qenka për çdo lëvdatë, nuk ka korrupsion, nuk ka kontroll të gjyqësorit as të medias, nuk ka skandale…Po, e vërteta është se BDI-ja pothuajse nuk ka kontroll në media, që gjatë këtyre pesë viteve bashkëqeverisje me LSDM-në nuk ka ndonjë aferë korruptive si ato të disa emrave me nam nga udhëheqësia më e ngushtë e LSDM-së, ministra, drejtorë…që vazhdojnë të përfliten në skandal pas skandali?! Kush silleshka si regjim dhe me çka?
Në këtë rast assesi nuk duhet të merret si arsyetim për keqpërdorime eventuale edhe nga përfaqësues të BDI-së, por dua të them një të vërtetë të madhe se në punët për të cilat po fliten se janë zhytur partnerët e koalicionit, këta të partisë shqiptare janë amatorë të vërtetë! (BDI-sta, mos më keqkuptoni, mund të jetë më shumë kompliment!). Po flasim për gjërat që tashmë kanë dalë sheshazi, se përndryshe, kushedi sa gjëra të panjohura presin të zbulohen. Çfarë i dallon aferat korruptive të qeveritarëve të tashëm me ato të mëparshmet dhe kush janë aktorët? Iu varën në qafë atij Nafiut të Ohrit për gjëra që të tjerët i kanë bërë shumë më shumë se ai. Për disa motive që fliten në çarshinë e Ohrit dhe Strugës, mbase tymi do t’i dalë nëse s’i ka dalë ende motiveve në prapaskenë.(BDI-ja duhej në parim ta mbronte Nafiun, jo pse është shqiptar, po pse “drejtësinë” ndaj tij, si në shumë raste, e zbatuan në mënyrë selektive, si mediat si organet tjera).
Dhe për të ardhur edhe më keq dhe më çudi, është se regjimin te BDI-ja e shikojnë disa shqiptarë. Nuk e kam të qartë rolin e tyre në parim. Nuk shohin se çka po ndodhë, apo kanë detyrë shtëpie që gjërat t’i paraqesin në mënyrë selektive? Ndërkaq ata, duhet t’i lexojnë mesazhet e BE-së se kujt i adresohet brengosja për skandalet e njëpasnjëshme, që të shihet kush si sillet në kuadër të koalicionit. Ose, psh., kë përmend me emër e mbiemër aktorja Sofija Kunovska në një status të saj në Facebook. Mund të duket se është revanshiste ndaj të vetëve që e kanë lënë anësh, por bëmat e emrave që përmend nuk është zor për t’i detektuar. Ndaj dhe “avokatët”shqiptarë duhet t’i hapin sytë, të mos bëhen të verbër që nuk shohin se çka ndodh, ose të shohin me një sy, ose edhe me keq, të mos sillen si kuajt e kufizuar me hamlla për të mos shikuar anësh!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)