Dibër, 7 tetor – Kandidati i BDI-së për kryetar të Komunës së Dibrës, sot në konferencë për shtyp ka shpalosur programin zgjedhor për katër vitet e ardhshme. Ky Program, tha Lata, ka për synim zhvillimin e mëtejshëm të Dibrës, të Dibrës që duam Dibrës, Dibrës evropiane. “Ne në këto zgjedhje futemi krenarë me atë që kemi bërë në katër vjeçarin tonë në krye të Komunës së Dibrës, krenarë për realizimin dhe tejkalimin e premtimeve të dhëna në fushatën e kaluar kur kandidoja për kryetar komune. Në Dibër në katër vjeçarin e kaluar ne kemi realizuar punë që nuk janë bërë për një shekull, të cilat punë janë garantë për një vazhdim në transformimin edhe të mëtejshëm të Dibrës. Programi jonë për katër vitet e ardhshme bazohet në këto shtylla: 1.Urbanizëm, infrastrukturë, 2.Zhvillim Ekonomik Lokal, 3. Mjedis jetësor, 4. Mbrojtje sociale, 5.Veprimtari shoqërore dhe kohezion social”, tha Lata. Lata tha se infrastruktura ka qenë arma më e fuqishme e tyre në katër vjeçarin e kaluar. “Mirëpo edhe në katër vitet e ardhshme ne kemi paraparë projekte të rëndësishme në Urbanizëm dhe infrastrukturë të cilat do të përfshinë çdo cep të qytetit të Dibrës”, theksoi Ruzdi Lata. Ai më tej u shpreh se janë paraparë 45 projekte në infrastrukturën rrugore në qytete dhe fshatra si dhe infrastrukturën nëntokësore – ujësjellës dhe kanalizime. “Më të rëndësishmet, më jetiket dhe me vlerë më të madhe kapitale do te jenë: Ndërtimi I një rezervuari të ri për ujë të pijshëm për qytetin e Dibrës dhe modernizimi i sistemit të klorimit të ujit të pijshëm për qytetin e Dibrës që do të jenë në vlerë rreth 650 mijë euro. Rikonstruimi, zgjerimi dhe modernizimi i sistemit të vaditjes –Fusha e Dibrës që arrin vlerën prej 10 milion eurosh. Gjithashtu, në infrastrukturën rrugore kemi paraparë ndërtimin dhe rikonstruimin e të gjitha rrugëve dhe rrugicave të mbetura, të cilat arrijnë vlerën prej rreth 1 milion eurosh. Për mos i përmendur të gjitha ja vlen që të përmendim një projekt shumë të veçantë dhe që lidhet me historinë e qytetit tonë, rikonstruimi i rrugës më të vjetër dhe më të nevojshme për qytetin e Dibrës, rruga prej Ish kombinatit Progres deri të pika lidhëse me rrugën e Strugës, që do të përfshin gjatësi prej 1 km dhe do të kushtojë 280 mijë euro. Gjithashtu këtu ja vlen që të përmendim se ne për katër vitet e ardhshme kemi paraparë ri asfaltimin e të gjithë lagjes Venec I, me një sipërfaqe prej 20 mijë m2 dhe që do të kushtojë 400 mijë euro”, theksoi kandidati I BDI-së për kryetar të Komunës së Dibrës. Sipas tij, rregullimi i deponisë së qytetit, që do të kushtojë 280 mijë euro, ndërsa ndërtimin e një kopshti të ri për fëmijë me sipërfaqe prej 1 mijë m2 dhe që do të kushtojë 500 mijë euro. “Ne gjithashtu kemi paraparë edhe projekte dhe politika që do ndihmojnë në mbrojtjen sociale, zhvillim të arsimit, kulturës dhe sportit , gjë që e kemi bërë edhe në katër vjeçarin e kaluar dhe të cilat në mënyrë decide do ti kemi në programin tonë. Duke pasur parasysh realizimin e punëve të bëra në mandatin e kaluar dhe duke pasur parasysh se ne jemi të vetmit që në këto zgjedhje dalim më program dhe projekte konkrete për qytetin e Dibrës, kërkojmë një mbështetje të fuqishme qytetare për të implementuar programin tonë, që për katër vitet e ardhshme qytetin e Dibrës do ta shndërrojë në qytet evropiane”, tha në fund Ruzhdi Lata.