Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur edhe sot qëndrimin e tij se nuk ka ekzistuar kurrfarë bashkëpunimi apo marrëveshje e fshehtë, ndërmjet fushatës së tij presidenciale dhe agjentëve të qeverisë së Rusisë. Duke folur shkurtazi para gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se “absolutisht nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë” ndërsa i pyetur nëse i trembej asaj që mund të rrëfente ish këshilltari i tij Flynn, Trump u përgjigj shkurt; jo. Këto komente të tij u bënë një ditë pasi ish-këshilltari i tij për siguri kombëtare, Michael Flynn, e ka pranuar fajësinë për gënjim ndaj agjencisë FBI për kontaktet e tij me ambasadorin rus, gjatë periudhës tranzitore ndërmjet nëntorit të vitit 2016 dhe janarit të vitit 2017, kur Trump u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas raporteve të mediave, Flynn ka pranuar të dëshmojë se ai ishte urdhëruar nga një zyrtar i lartë i paemëruar i ekipit të tranzicionit, për të krijuar lidhje me qeverinë ruse. Michael Flynn, ish-këshilltar për siguri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është akuzuar për dhënie të deklaratave të rreme para FBI-së, në muajin janar. Ai është detyruar të japë dorëheqje në shkurt, pasi ka keqinformuar Shtëpinë e Bardhë për një takim me ambasadorin rus, përpara se Trump të merrte detyrën. Sipas televizionit Abc, Flynn i ka thënë gjykatësve federalë se ishte ngarkuar nga Trump për “të pasur kontakte me funksionarët rusë”. Ish-këshilltari është gati të dëshmojë kundër presidentit amerikan. “Ato që kam thënë kanë qenë të gabuara. Deklaratat e mia të përgjegjësisë dhe vullneti për të bashkëpunuar me prokurorin special, reflektojnë vendimin që kam marrë në interesin më të mirë të familjes sime dhe të vendit tim. Pranoj përgjegjësinë e plotë të aksioneve të mia”, ka deklaruar Flynn. Ish-këshilltari i sigurisë ka shpjeguar më pas se vendimi i tij për t’u deklaruar fajtor se ka gënjyer FBI-në dhe për të bashkëpunuar me hetuesit për “Russiagate”, është marrë “në interes të familjes sime dhe të vendit tonë”. Në një deklaratë të shpërndarë nga avokatët e tij, Flynn ka theksuar se ka qenë “e dhimbshme të duronte akuzat false të tradhtisë dhe të akteve të tjera”. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka reaguar duke thënë se “çështja i përket vetëm atij dhe nuk përfshin persona të tjerë”. Flynn akuzohet se “me dashje dhe vetëdije” ka bërë “deklarata të rreme, fiktive dhe mashtruese”. Akuzat janë ngritur nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.