Ruskovska: Videot dhe audio-materialet e siguruara janë vetëm për dy prej të dyshuarve

Shkup, 16 korrik – Videot dhe audio-materialet e siguruara janë vetëm për këtë rast që e hapëm tani, për këto dy të dyshuar. Ndërsa mëtej në hetimin nëse do të paraqiten dëshmi për prokurorë, për politikanë, për njerëz nga jeta publike do ta shohim, thotë prokurorja publike Vilma Ruskovska në një intervistë për Televizionin 24. Ajo shton edhe se involvimi i një prokurori publik në këtë rast tani për tani nuk mund të dëshmohet.

“Nëse paraqiten dëshmi të fuqishme me siguri hetimi do të zgjerohet, por tani nuk mund të spekuloj dhe do të ishte joserioze prej meje si prokurore të them në cilin drejtim mund të na dërgojë hetimi”, thotë Ruskoska.

Në pyetjen vallë nuk përjashtohet mundësia hetimi të zgjerohet jo vetëm në politikanë por edhe në prokuror varësisht nga ajo se çfarë do të zbulohet, Ruskovska e konfirmoi duke shtuar se “absolutisht nuk është përjashtuar mundësia, por kjo tani është vetëm mundësi”.

Ruskoska në intervistë thotë se te i dyshuari i dytë është gjetur sasi më e madhe e armëve dhe do të hetohet nëse e posedon me leje apo pa leje.

Potencon se gjatë kontrollit të të dyshuarit të parë dhe të dytë janë marrë pajisje elektronike, si dhe një telefon celular nga një prokuror publik, por se ende nuk është bërë ekspertizë te asnjë prej tyre.

Prokurorja Ruskoska vlerëson se rasti i fundit nuk duhet ta prish prestigjin e PSP-së sepse siç thotë, atje ka prokuror të mirë dhe opinioni duhet të ketë besim te ato.

Në pyetjen për dorëheqjen e prokurores së posaçme Katica Janeva, Ruskovska thotë se dorëheqja është në kohë jo të duhur.

“Mendoj se është zgjedhur kohë e gabuar për dorëheqje. Tani për tani kemi një lidhje mes të dyshuarit të parë me ndonjë prokuror, por deri ku është lidhja, nëse vërtet ka pasur ndikim, madje në fund edhe marrje parash, ne në të vërtet si prokurori publike nuk kemi dëshmi, tani në këtë moment. Kështu që involvimin  prokurorit publik në këtë rast tani për tani nuk mund ta dëshmojmë”, thotë Ruskovska.