Ministria e Jashtme e Rusisë vendosi të dëbojë nga vendi 20 diplomatë që punojnë në ambasadën e Çekisë në Moskë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme ruse thuhet se ambasadori i Çekisë në Moskë, Vitezslav Pivonka u thirr në ministri dhe iu dha një notë proteste.
Ndaj ambasadorit Pivonka u shpreh në mënyrën më të ashpër protesta ndaj sjelljes jomiqësore të autoriteteve çeke ndaj punonjësve të misionit diplomatik rus në Pragë, theksohet në deklaratë. “Ambasadorit Pivonka iu dha informacioni se 20 punonjës të ambasadës së Çekisë në Moskë janë shpallur ‘persona të padëshiruar’. Punonjësit duhet të largohen nga territori i Rusisë deri në përfundimin e ditës 19 prill”, thuhet më tej.
Po ashtu është theksuar se pala çeke duhet të bëjë të barabartë numrin e punonjësve të saj në misionin diplomatik në Moskë me numrin e punonjësve të misionit në ambasadën e Rusisë në Çeki.
Dje kryeministri çek Andrej Babish tha se kanë kërkuar nga 18 diplomatë rusë që të largohen nga vendi brenda 48 orëve. Ai potencoi se 18 diplomatët rusë punojnë për shërbimin inteligjent rus dhe se kishte dyshime serioze për lidhje me shpërthimin e ndodhur në një depo municionesh në rajonin Moravia e Jugut në vitin 2014.