Mund të presë deri në 150 persona, që mund të jetojnë në temperatura nën zero për një kohë të gjatë deri në 18 muaj. Janë zbuluar nga sajti i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse fotot e para të bazës së re ushtarake të ndërtuara në veri të Rusisë, në detin e Barents në kufi me Oqeanin e Ngrirë të Veriut. Struktura e realizuar ‘ad hoc’ për bazën, quhet ndryshe edhe “Artcic Trilistink”, ku për herë të parë janë zbuluar dhe detajet (zakonisht gjithçka mbetet top-sekret). Me pesë kate mbi tokë, e përshtatshme për të pritur më shumë se 150 ushtarakë, është e mbrojtur nga një sistem raketor dhe ajror për luftime, e gatshme për të hyrë në aksion në rast të një sulmi bërthamor. Por qëllimi, sipas disa mediave ndërkombëtare, nuk është i lidhur vetëm me armatimet: nga ajo bazë mund të nisen operacione për të nxjerrë në dritë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit të gjendura nën dëborë, të cilat vlerësohen me një shumë marramendëse prej 28 trilionë eurosh.