Nju-Jork, 18 shtator 2017 – Rusia me siguri nuk do ta nënshkruajë deklaratën për mbështetjen e nismës së presidentit amerikan, Donald Tramp për reforma në KB, deklaroi ambasadori rus në Organizatën Botërore, Vasilij Nebenzja. Siç njoftoi TASS, Nebenzja në një intervistë të publikuar sot, thotë se idetë e theksuara në nismën “në dukje janë tërheqëse”, por për reformat e propozuara nuk është zhvilluar dialog mes vendeve anëtare të KB-së. “Ne këtu e mbështesim përforcimin e rolit të KB-së në skenën ndërkombëtare, por Organizatës nuk i nevojiten reforma dramatike”, theksoi Nebenzja. Javën e kaluar, përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Niki Hejli kumtoi se dokumenti për reforma i KB-së që e ka inicuar Trampi, ka marrë mbështetje nga 120 vende anëtare të Organizatës Botërore. Për sot në Nju-Jork është paralajmëruar takim i përfaqësuesve të lartë të vendeve që e kanë mbështetur propozimin amerikan për reforma të KB-së, nikoqir i së cilës do të jetë Tramp.