Përkundër reagimeve dhe alarmit të ngritur nga OKB-ja dhe qeveritë perëndimore lidhur me ofensivën ku raportohet se mbeten të vrarë edhe dhjetëra fëmijë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se një gjë e tillë ka qenë e arsyeshme.
“Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, lufta kundër terrorizmit nuk mund të ndalohet nga asgjë”, ka thënë Lavrov në Moskë.
Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete evropiane, por edhe grupe që mbrojnë të drejtat e njeriut, i kanë dënuar vrasjet masive të civilëve gjatë 48 orëve të bombardimeve nga aeroplanët dhe helikopterët ushtarakë të Sirisë dhe Rusisë.
Ekipet e shpëtimit, monitoruesit, dhe OKB-ja thonë se bombat kanë goditur spitale, banesa, tregje dhe caqe të tjera civile.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se së paku 250 civilë, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë që kur bombardimet filluan më 18 shkurt, kurse 1200 persona të tjerë janë plagosur.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antionio Guterres, ka thënë më 29 shkurt përmes një zëdhënësi se ai është “i alarmuar” nga përshkallëzimi i dhunës dhe “ndikimi shkatërrues tek civilët”.
Banorët e Ghotuas Lindore “po jetojnë në kushte ekstreme, përfshirë mungesën e ushqimit,” ka thënë ai.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit amerikan, Heather Nauert, ka thënë se SHBA-të janë “thellësisht të shqetësuara” lidhur me taktikat që po shfrytëzohen nga Rusia dhe Siria.
“Tmerret e Alepos Lindore po përsëriten në Ghoutan Lindore me vrasjet e civilëve të bllokuar,” ka thënë ajo.
Ministria e Jashtme e Sirisë ka akuzuar militantët në Ghouta për vënien e Damaskut si cak, dhe për shfrytëzimin e njerëzve për mbrojtje./REL