Moskë, 16 shtator – Rusia kumtoi se është e papranueshme që të flitet për hakmarrjen eventuale për sulmet ndaj stacioneve saudite të naftës dhe iu bëri thirrje vendeve në rajon dhe bashkësinë më të gjerë ndërkombëtare që të mos shpejtojnë me përfundime. Ata pohojnë se është kundërproduktive që të përdoret ai incident që të rriten tensionet me Iranin.
“Besojmë se është kundërproduktive që të përdoret ajo që ndodhi për forcimin e tensioneve rreth Iranit në përputhje me politikën amerikane të njohur mirë. Propozimet për ndërmarrjen e masave të rrepta për hakmarrje, për të cilat diskutohet në Uashington, ende janë më të papranueshme”, kumtoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme.
Rusia vlerëson se shkëmbimi i sulmeve ndaj caqeve të civilëve është “pasojë direkte e konfliktit të ashpër ushtarak dhe krizës politike në Jemen”.
Kremlini iu bëri thirrje vendeve të Lindjes së Afërt dhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare që të mos shpejtojnë me përfundime në lidhje me ato sulme.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të përmbahen nga çfarëdo lloj veprimi ose përfundim të përshpejtuar i cili mund ta përkeqësojë situatën, por përkundrazi, të ndërmarrin qëndrim i cili do të kontribuojë për qetësimin e tij”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov.
Ai paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin duhet të realizojë vizitë zyrtare në Arabinë Saudite në tetor. “Data do të publikohet më vonë”, tha Peskov.