Shkup, 17 janar – Me finalizimin e Marrëveshjes së Prespës në Shkup dhe në Athinë, Moska zyrtare këto ditë i aktualizon qëndrimet e saj rreth çështjes për emrin dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Së pari përmes një komunikate të MPJ-së ruse, pastaj me deklaratat e shefit të diplomacisë Sergej Lavrov, zëvendësin e tij Aleksanadar Grushko, dhe në fund përmes intervistës së presidentit Vladimir Putin për mediet serbe para vizitës së tij në Beograd, edhe një herë ishte dërguar porosi se Rusia nuk dëshiron që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s, se qëndrojnë pas fuqitë e jashtme para së gjithash SHBA-ja dhe se marrëveshja finale për emrin do të duhet të shqyrtohet në Këshillin e Sigurisë së KB.
Qeveria e Maqedonisë nuk dëshiron t’i komentojë qëndrimet e shfaqura nga ana e Moskës zyrtare, por thekson se qëllimi strategjik i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO dhe BE, ndërsa Marrëveshja e Prespës jo vetëm që nuk prek interesat e palëve të treta, por kontribuon në mënyrë thelbësore për stabilitetin rajonal.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përqendruar në qëllimin e saj për anëtarësim në NATO dhe BE dhe pret që kjo të arrihet me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe në Parlamentin grek.
“Pozicionet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë lidhur me anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE janë të njohura. Nuk dua që të komentojmë intervista të personaliteteve të ndryshme, sepse Qeveria është përkushtuar në qëllimin e saj -anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës tek ne, presim që kjo të ratifikohet edhe në Parlamentin grek dhe me këtë Maqedonia do të projektojë rrugën drejt NATO-s dhe BE-së tha Hoxha, i pyetur lidhur me qëndrimin e parashtruar nga ana e presidentit rus Vladimir Putin se Marrëveshja e Prespës është arritur me presion të jashtëm, para së gjithash nga ana e SHBA-së dhe se me forcë dëshirojnë që ta futin Maqedoninë në NATO.
Putin në vigjilje të vizitës së sotme në Beograd, në intervistën për gazetat “Politika” dhe “Veçerni novosti” dha vlerësim edhe për Maqedoninë, se ekziston presion i jashtëm për anëtarësim të saj në NATO dhe gjatë kësaj e shfaqi edhe përcaktimin e Rusisë se ndihma dhe përforcimi i sigurisë dhe stabilitetit rajonal është prioriteti jonë i pakusht.
“Kur flasim për situatën në Ballkan, faktor destabilizues këtu paraqet politika e SHBA-së dhe të disa vendeve perëndimore, qëllimi i të cilave është përforcimi i dominimit të tyre në rajon. Që në vitin 1999, forcat e NATO-s pa sanksion të KB-së dy muaj e gjysëm e kanë bombarduar Jugosllavinë, e pastaj me dhunë e kanë ndarë krahinën autonome të Kosovës. Në vitin 2008, Uashingtoni dhe aleatët e tij e kanë përkrahur shpalljen jolegjitime të pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2017, edhe krahas qëndrimit të gjysmës së popullatës, Mali i Zi është tërhequr në NATO. Ishin të frikësuar nga referendumi për këtë çështje dhe si rezultat të kësaj, vendi kalon në periudhë të destabilitetit politik”, thotë Putini.
Vitin e kaluar, thotë presidenti rus, “për shkak të anëtarësimit të sforcuar në NATO të Republikës së Maqedonisë, madje është ngritur edhe procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese, ndryshimi i emrit të shtetit dhe revizion të bazës së identitetit kombëtar maqedonas”. Gjatë kësaj, sipas tij, ishte injoruar vullneti i qytetarëve të Maqedonisë se referendumi për ndryshim të emrit kushtetues nuk ka pasur sukses, por presioni i jashtëm ka vazhduar.
Ministri rus i Punëve të Jashtme Lavrov në konferencën e djeshme për shtyp në Moskë në të cilën i shfaqi rezultatet e punës së diplomacisë ruse në vitin 2018 theksoi se Rusia nuk është kundër emrit të ri të Maqedonisë, as kundër marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë rreth emrit, por pyet sa është legjitim ky proces, i cili vlerëson se nuk ishte në nivelin të cilin e kërkon Kushtetuta e Maqedonisë.
Rusia,tha Lavrov, e parashtron pyetjen në të cilën masë marrëveshja për emrin e Maqedonisë është rezultat i synimeve të të dyja vendeve dhe popujve të të dyja vendeve të gjejnë zgjidhje dhe kompromis, ndërsa në cilën masë është rezultat i “përpjekjeve të SHBA-së që të gjitha vendet e Ballkanit t’i fusin në NATO”, sa është e mundur më shpejt dhe të ndalohet çdo ndikim i Rusisë në rajon.
Paraprakisht, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Aleksandar Grushko deklaroi se Moska nuk përzihet në punët e brendshme të Athinës në situatën lidhur me emrin e Maqedonisë, por do të vazhdojë ta tregojë mendimin për këtë çështje, sepse kjo është në kompetencë të KS-së së KB-së.
Sipas tij komenti i MPJ-së ruse me të cilin dënohet vendimi i Parlamentit të Maqedonisë për ta ndryshuar Kushtetutën për shkak të ndryshimit të emrit të vendit paraqet vlerësim esencial për atë “si kanë vijuar negociatat (midis Athinës dhe Shkupit për riemërimin e Maqedonisë), nën presionin dhe përzierjen ndërkombëtare të së cilit pa precedent i cili e ka treguar perëndimin në arritjen e synimeve tërësisht të qarta gjeopolitike”.
Ministria greke e Punëve të Jashtme në reagimin pas kumtesës së MPJ-së ruse lidhur me Marrëveshjen e Prespës, kumtoi se Marrëveshja që nga nënshkrimi kontribuon në përforcimin e paqes dhe stabilitetit të Ballkanit, njëherit është model i njohur edhe ndërkombëtarisht për zgjidhjen e dallimeve midis dy shteteve të pavarura sovrane nën mbështetjen e KB-së, pa përzierjen e tre palëve.
“Përmendja e ngjarjeve politike në brendësinë e vendeve mike nga Ministria ruse e Punëve të Jashtme nuk është në pajtim me nivelin i cili i karakterizon marrëdhënie greke-ruse dhe lidhjet e përhershme të miqësisë midis popujve tanë”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë dhe shtojnë se kjo krijon “shqetësim të arsyeshëm sepse e neglizhon caktimin me ligje dhe funksionimin efektiv demokratik të institucioneve në Greqi dhe të Kushtetutës në të cilin ka dispozita të qarta” për përballje me raste të ndryshme të mundshme dhe “natyrisht nuk është sfera për komente nga ana e palëve të treta”.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dje publikoi reagim të komentit të MPJ-së ruse lidhur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat dalin prej Marrëveshjes së Prespës, duke përmendur se kjo Marrëveshje jo vetëm se nuk prek në interesat e palëve të treta, por edhe në mënyrë thelbësore kontribuon për stabilitetin rajonal.
“Marrëveshja e Prespës jo vetëm se nuk prek në interesat e palëve të treta, por edhe në mënyrë thelbësore kontribuon drejt stabilitetit rajonal, miqësisë dhe bashkëpunimit dhe si e tillë paraqet shembull dhe model për zgjidhjen e çështjeve të hapura midis shteteve”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Maqedonisë.