Serbia, për dallim nga vendet tjera përreth, vetë e ruan hapësirën e saj ajrore, ka thënë sot ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin. Por, në këtë “ruajtje vetanake” të qiellit, ai domosdo e ka përkujtuar rolin e Rusisë, përcjell FoNet.
“Qielli ynë është i sigurt, i lirë dhe ne e ruajmë vetë. Falë marrëveshjes tekniko –ushtarake ndërmjet presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, qielli ynë është i lirë, është i sigurt”, ka thënë Vulin, transmeton Koha Ditore.
Ai ka shtuar se Ushtria e Serbisë është gjithmonë në gjendje gatishmërie dhe ajo nuk kremton kurrë.
“Ushtria e Serbisë nuk feston kurrë dhe nuk ka ditë që ajo të mos e ruajë qiellin dhe vendin e vet. Nuk ka ditë kur ajo s’e ruan mënyrën tonë të jetesës, sovranitetin dhe lirinë tonë”, ka përfunduar Vulin.