Rusia do të aneksojë katër rajone të Ukrainës

Kremlini njoftoi se do t’i aneksojë formalisht katër rajone të Ukrainës, ku së voni u mbajtën të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premten.

Në të, sipas tij, do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja.

Advertisements

Zyrtarët pro-rusë të këtyre rajoneve thanë se votuesit e kanë mbështetur me shumicë votash bashkimin me Rusinë.

Por, referendumet e ashtuquajtura u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Njoftimi i Kremlinit erdhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.

“Ne nuk i pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Jemi të vendosur që ta bëjmë Kremlinin të paguajë çmim për këtë përshkallëzim të mëtejshëm [të situatës]”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel.

Paketa e tetë e propozuar e sanksioneve përfshin ndalime të mëtejshme të importit të produkteve ruse, që do ta privojnë Moskën nga 7 miliardë euro të ardhura.

Shtëpia e Bardhë, në anën tjetër, tha se SHBA-ja kurrë nuk do t’i njohë kurrë përpjekjet e Rusisë për të aneksuar pjesë të Ukrainës.

Ajo, po ashtu, tha se po përgatit sanksione të reja ekonomike kundër Moskës, që do të imponojnë një “kosto të rëndë ekonomike për Rusinë”.

“Ne kurrë nuk do t’i njohim këto përpjekje të paligjshme për aneksim”, u tha gazetarëve sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.//REL