Ministria ruse e Drejtësisë të martën regjistroi nëntë media, duke përfshirë Zërin e Amerikës, si “agjentë të huaj”. Në një deklaratë, ministria e renditi, në përputhje me ligjin për mediat, disa media si “agjentë të huaj”. Mes tyre janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, Radio e Lirisë (RFE/RL). Faqet tjera të internetit janë Azatliq Radiosi, Sibir.Realii, Idel.Realii, Kavkaz.Realii, Kyrm.Realii dhe factograph.info. Kjo masë erdhi një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret duke caktuar ministrinë për të mbajtur një regjistër të agjentëve të huaj të medias. Gazetarët që punojnë për mediat e listuara nuk mund të hyjnë në Dumën e Shtetit të Rusisë, Dhomën e Ulët të Parlamentit. Javën e kaluar, Moska i ndaloi të gjitha mediat amerikane nga pranimi në Duma. Kreu i Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë, Olga Savastjanova më 1 dhjetor tha se vendimi është marrë si përgjigje e masës së fundit të Kongresit të SHBA-ve për të hequr akreditimin e kanalit rus të lajmeve në gjuhën angleze RT America. Më 13 nëntor, Departamenti Amerikan i Drejtësisë i kërkoi RT-së të regjistrohej si një agjent i huaj për luajtjen e rolit kyç në atë që e quajti një “fushatë ndikimi” që synonte nënçmimin e kandidatit demokrat Hillary Clinton gjatë garës presidenciale të vitit të kaluar.